Londër, gjyqi i oligarkëve rusë

31/08/2012 15:40

Pronari rus i Chelsea, Roman Abramovich ka fituar betejën e tij ligjore kundër oligarkut tjetër rus në mërgim, Boris Berezovsky.

Zoti Berezovsky, 65 vjeç, deklaroi se Abramovich e kishte kërcënuar atë që të shiste aksione të gjigandit rus të naftës “Sibneft”.

Ai kërkonte një dëmshpërblim prej 4.7 miliardë dollarësh. Por Gjykata Tregtare e Londrës deklaroi se Berezovsky ishte treguar një dëshmitar jo i besueshëm gjatë proçesit.

Nga ana e tij, oligarku ka deklaruar se ndihej “i tronditur” nga vendimi i gjykatës, e cila sipas tij ka rishkruar historinë e Rusisë.

Rrjeti informativ britanik, BBC vlerëson se kostoja totale e proçesit gjyqësor ka arritur në 100 milionë stërlina.

“Nga analiza e të gjitha provave kam arritur në përfundimin se zoti Berezovsky është një dëshmitar jo i besueshëm, që e sheh të vërtetën si një koncept tranzitor dhe fleksibël, që mund të manipulohet sipas interesave të tij”, tha gjyqtarja kur lexoi vendimin.

Ajo theksoi se hedh poshtë deklaratat e zotit Berezovsky në lidhje me kompaninë “Sibneft” dhe atë se zoti Abramovich kishte shkelur një marrëveshje për përfshirjen e kompanisë ruse të aluminit “RusAl” në tërësi.

Top Channel