Kinë, frikë për sigurinë ajrore

31/08/2012 10:50

Për të ditën dytë radhazi, një avion në Kinë u detyrua të bënte ulje të detyruar, duke ngritur dyshime mbi sigurinë në një prej tregjeve me rritjen më të shpejtë në botë në aeronautikë.

Linja e “Shenzen Airlines”, në fluturim nga Xiangyangu në Shenzen, u detyrua të kthehej në aeroport pak pas nisjes.

”Në orën 22:29 të së enjtes, 30 gusht 2012, kompania mori informacione kërcënuese mbi sigurinë e flurutimit ZH 9706”, shkruhej në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit të “Shenzen Airlines”.

”Për të garantuar sigurinë e plotë të pasagjerëve, avioni ndryshoi menjëherë drejtim dhe u ul në mënyrë të sigurt në Vuhan. Policia mbërriti në vendngjarje dhe është duke hetuar mbi këtë incident”.

Megjithatë, kompania nuk tregoi natyrën e kërcënimit për udhëtarët dhe ekuipazhin e avionit “Airbus A320”, me kapacitet prej 150 pasagjerësh në të dy klaset e tij.

Të mërkurën, një tjetër “problem i paspecifikuar” detyroi fluturimin CA 981 të “Air China” drejt Nju Jorkut, që të rikthehej në kryeqytetin Pekin, shtatë orë pas ngritjes së tij në fluturim.

Top Channel