Ban Ki Moon kundër Iranit

31/08/2012 01:25

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon gjatë fjalimit në samitin e NAM, apo “vendeve të parreshtuara” që zhvillohet në Iran, dënoi thirrjet e Teheranit për shkatërrimin e Izraelit dhe mohimin e Holokaustit.

“Nga kjo platformë dhe siç kam përsëritur nëpër botë, kundërshtoj me forcë çdo kërcënim të vendeve anëtare për të shkatërruar një tjetër, apo përpjekjet e turpshme për të dënuar faktet historike siç është Holokausti, duke pretenduar se një tjetër shtet anëtar i OKB-së, Izraeli nuk ka të drejtë për të ekzistuar. Apo e përshkruajnë atë në terma raciste, që jo vetëm janë plotësisht të shëmtuara, por minojnë mbi çdo gjë parimet që në mbështesim”, deklaroi Ki Moon.

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinejad gjatë këtij muaji e cilësoi Izraelin si një tumor të keq dhe bëri thirrje për vdekjen e tij dhe të Amerikës. Gjatë fjalimit të tij në samitin e NAM, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Kamenei vuri në shënjestër Këshillin e Sigurimit, duke e cilësuar si të padrejtë, si dhe iu referua Izraelit.

“Rregjimi zionist ka nxitur vrasjen, luftën, ndërmori një luftë aktive, masakruan dhe pushtuan, u angazhuan në aktë terroriste të organizuara në pjesë të tjera të botës dhe quajnë terroristë palestinezët, që ngrihen dhe përpiqen për të drejtat e tyre. Rrjetet e medias veprojnë si një aleat për zionistët. Ato përsërisin gënjeshtrat e mëdha, në shkelje të plotë me integritetin gazetaresk”, tha Kamenei.

Gjatë samitit, udhëheqësi suprem i Republikës Islamike tha se vendi i tij nuk do ta prodhojë kurrë bombën atomike, por nga ana tjetër nuk do të braktisë programin e diskutueshëm bërthamor.

Top Channel