Abramovic fiton gjyqin ndaj Berezovskit

31/08/2012 23:25

Pronari i klubit të Futbollit Chelsea, Roman Abramovic fitoi gjyqin kundër oligarkut rus, Boris Berezovski i cili prej vitesh ka marrë azilin politik në Britaninë e Madhe.

Në qendër të konfliktit mes dy ish-ortakëve në biznes ishte paketa e aksioneve të kompanise së naftes Sibneft, që 65 vjecari Berezovski tha se ia kishte shitur nën kanosje, 45 vjecarit Abramovic me cmim të ulët.

Ai kërkoi si dëmshpërblim 4.7 miliardë dollarë. Gjykata e Lartë në Londër e cilësoi Berezovskin “një dëshmitar të afte për të impresionuar po plotësisht jo bindës”.

Sipas Fajnenshëll Tajms, llogaria e avokatëve të të dy palëve ishte mbi 1 milionë e 200 mijë euro në ditë.

Abramovic nuk ishte i pranishëm kur u lexua verdikti, Berezovski po. Ndërsa hynte shprehu besimin e plotë tek sistemi i drejtësisë britanike, kur doli 65 vjecari tha se: “Mu duk se ma kishte shkruar vendimin Putini”.

Gjatë kohës së Boris Jeltsinit, matematicieni Berezovski u ngjit në pushtet si këshilltar i tij. Pas ardhjes së Putinit në krye të Kremlinit ai vendosi të linte vendin dhe të kërkonte azil politik në Britaninë e Madhe. Në deklaratat e shumta, Berezovski ka thënë se ishte ai njeriu që e ndihmoi Abramovicin të pasurohej.

Top Channel