“Shaka” në studio, shkarkohet gazetari

30/08/2012 19:20

Një koment i tepruar, një mikrofon i hapur dhe David Chalian nuk është me redaktor i zyrës se “Yahoo News” ne Washington.

Duke menduar se nuk ishte më në transmetim, Chalian i zbukuroi me disa batuta komentet mbi uraganin “Isaac” që goditi Luizianën në momentet e mbajtjës së konventës republikane.

Në një video të publikuar në “Youtube”, dëgjohet sesi komentatorët në studio diskutonin mbi situatën e krijuar nga “Isaac”-u dhe në momentin e shfaqjes së Romney-t dhe të shoqes Ann në ekran, dikush thotë: “Nuk duken aspak të shqetësuar”. Pas kësaj mbërrin batuta e Chalian e shoqëruar me të qeshura: “Janë të lumtur se po bejnë festë me zezakët që mbyten”.

Më vonë, gazetari kërkoi ndjesë në faqen e tij të “Facebook”-ut, për “shakanë e shkujdesur e të pavend. Po komentoja mbi sfidat që paraqet organizimi i një konvente gjatë një uragani dhe për optiken fushatës”, shkruan ai, duke u përpjekur të shfajësohet.

Gafa u bë mbrëmjen e së martes, kur “Yahoo News” po përgatitej të niste transmetimin e drejtëpërdrejtë të konventes republikane në Tampa të Floridas.

Zëdhënësja e “Yahoo”-së tha për “Associated Press” se shkarkimi i Chalian u bë praktikisht në atë moment, ndërsa kampit të Romney-t, stafit dhe simpatizantëve të tij iu kërkua ndjesë.

Top Channel