Fotografitë e personave të pagjetur që prej përfundimit të luftës në Kosovë, të cilat prej disa vitesh qëndronin në hekurat e rrethimit të Kuvendit të Kosovës, janë larguar të enjten nga familjarët e tyre.

Në Ditën Ndërkombëtare të të pagjeturve, aty është vënë gurthemeli i një obelisku, ku do të shkruhen të gjithë emrat dhe fotografitë e personave të pagjetur, që siç u tha me këtë rast, kjo bëhet për të treguar rrugën nëpër të cilën ka kaluar Kosova.

“Ne kemi detyrim që t’i përkujtojmë e t’i nderojmë të rënët dhe vërtet kërkojmë nga përgjegjësit për atë që ka ndodhur disa vite më parë Kosovë që të japin përgjegjësinë e tyre dhe të tregojnë për fatin e të pagjeturve, për fatin e prindërve dhe vëllezëver tanë”, u shpreh Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Kemi shpresën që të punohet më shumë, të punojmë bashkarisht më shumë në mënyrë që pritjet e të afërmve tanë të përfundojnë”, shtoi Isa Mustafa, kryetari i Komunës së Prishtinës.

Me rastin e kësaj dite, ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-it, Andy Sparkes, në një mesazh të tij, shkruan se kjo është një çështje e ndjeshme që i ka prekur mijëra njerëz në Kosovë dhe për EULEX-in është jashtëzakonisht e rëndësishme.
 
Që kur EULEX-i nisi të punojë me Departamentin e Mjekësisë Ligjore në dhjetor 2008, familjarëve u janë kthyer mbetjet mortore të 313 viktimave.
 
Prej 13 vitesh, fati i rreth 1 mijë e 800 të pagjeturve nuk është zbardhur ende.

Top Channel