Irani dyfishon kapacitetet bërthamore

30/08/2012 21:00

Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) rriti edhe më shumë presionin mbi Iranin dhe spekulimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake ndaj vendit aziatik, pasi raportoi të enjten se Teherani është duke dyfishuar kapacitetin bërthamor të reaktorëve në Fordo.

Në raportin e fundit monitorues rreth zhvillimeve në Iran, ANEA akuzonte autoritetet vendase edhe për “mungesën në rritje të bashkëpunimit dhe vështirësimin e punës së vëzhguesve të saj në bazën ushtarake të Parçinit”.

Tashmë Irani ka prodhuar 189 kilogram uranium të pasuruar që prej vitit 2010, nga 145 kilogram që kishte prodhuar gjithsej më parë.

Vetë Teherani zyrtar mohon të ketë në zbatim ndonjë program për ndërtimin e armëve bërthamore, duke këmbëngulur se programi i tij ka vetëm për qëllim përdorimin e kësaj forme të energjisë për qëllime civile.

Sipas ANEA-s, numri i centrifugave të përdorur në Fordo, një strukturë e nëndheshme pranë qytetit të shenjtë të Komit, është dyfishuar në 2 140, nga 1 064 që ishin në total në muajin maj.

Sidoqoftë, për momentin, pak prej këtij kapaciteti të shtuar është vënë në punë.

Irani ka theksuar në disa raste se pasurimi i uraniumit të Fordo bëhet deri në masën 20%, maksimumi i pranuar për qëllime civile.

Në muajin maj, inspektorët e OKB-së u alarmuan nga gjetja e gjurmëve për pasurimin deri në 27%, në nivelin e uraniumit të përdorur për qëllime ushtarake, por autoritetet vendase këmbënguli se këto lexime ishin aksidentale.

Top Channel