Megjithëse para zgjedhjeve të 17 qershorit kanë premtuar se nuk do të merrnin më masa të reja në kurriz të punëtorëve dhe pensionistëve, konservatorët grekë që udhëheqin koalicionin qeveritar duket se kanë rënë dakord me partnerët e tyre në qeveri për paketën e re të masave shtrënguese prej 11.5 miliardë euro si kusht për marrjen e këstit të ndihmës prej 31.5 miliardë euro nga kreditorët e huaj.

Masat e reja gjunjëzojnë kryesisht pensionistët të cilët humbin një të ardhur të konsiderueshme vjetore, sidomos prej heqjes së pensionit shtesë të 13 dhe të 14, një masë që do sjellë mbi 4.5 miliardë euro në arkën e shtetit. Gjithashtu u jepet një goditje e papërballueshme gati 1.000.000 nëpunësve të aparatit shtetëror dhe të kompanive gjysmë shtetërore duke u hequr përfundimisht ajo çka kishte ngelur nga rroga dhuratë e 13 dhe e 14, si dhe nga aplikimi i një sistemi të ri rrogash në këtë sektor.

Vetëm nga dalja e nëpunësve publikë në sistemin e punës në rezervë do të humbin punën 35000 vetë përgjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa nga daljet në pension dhe mosrinovimi i kontratave të përkohshme aparati shtetëror do të zvogëlohet me 100 000 vetë deri në vitin 2015.

Nga reduktimet e pensioneve duket se kanë shpëtuar pensionistët e Entit të Sigurimeve të Fermerëve OGA, nga i cili përfitojnë pensionet gati 20 000 minoritarë shqiptarë pasi nuk do të zvogëlohet me 30 euro pensioni i tyre siç ishte propozuar ditë më parë. E vetmja pikë për të cilën ende nuk kanë rënë dakord liderët e koalicionit qeveritar janë shkurtimet nga 5-20% në borderotë e pagave të veçanta të policëve, ushtarakëve dhe gjykatësve.

“Kjo është paketa e fundit e masave sepse shoqëria greke nuk duron dot më”, ka deklaruar në mëngjesin e së enjtes kryeministri Samaras në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Demokracisë së Re.

Për hipokrizi të tre partive qeveritare dhe sidomos të konservatorëve flasin partitë opozitare duke i quajtur masat të padrejta dhe madje antisociale, që do të çojnë në shkatërrimin e shoqërisë.

Paketa e re e masave sapo të hartohet përfundimisht do t’i paraqitet ekspertëve të Troikës që mbërrin në javën e parë të shtatorit, një muaj që parashikohet tepër i nxehtë nga paralajmërimet për protesta të sindikatave, të pensionistëve, studentëve dhe të gjithë qytetarëve të prekur nga kriza ekonomike.

Top Channel