Banorëve të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, pa dallim etnie, do t’u ofrohen falas shërbime spitalore, nga ana e Spitalit Amerikan në Prishtinë e Tiranë.

Për të realizuar këtë, të mërkurën u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe drejtori i përgjithshëm i këtij spitali në Tiranë, Klodian Allajbeu.
 
Ky  memorandum hyn në fuqi që nga dita e nënshkrimit dhe do të zgjasë deri në fund të këtij viti, me mundësi vazhdimi. Dr. Allajbeu tregon për shërbimet që do të ofrohen: “Do ofrohen shërbime për të cilat kanë më shumë nevojë. Dmth: shërbime terciare, ku përfshihen kirurgji të ndryshme, duke filluar nga kirurgjia kardiake, kirurgjia e zemrës. Po ashtu, kirurgji të ndryshme të abdomenit të barkut, kirurgji të syrit, të veshit, të gjitha lëmit ortopedike”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i spitalit, Klodian Allajbeu.

Sipas tij, kjo është një thirrje modeste për bizneset tjera që të kontribuojnë me mundësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave të popullatës në këtë pjesë, meqë kjo nuk i takon vetëm institucioneve shtetërore.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falenderuar drejtuesit e Spitalit Amerikan për siç tha ai vullnetin e mirë ndaj qytetarëve të asaj pjese, të cilët ndodhen në kushte të vështira, duke shtuar se kjo është një mundësi që do t’i shërbej integrimit.

“Me vetë faktin që u tha se nuk do të ketë përzgjedhje në bazë të etnisë,  është një hap i mirë dhe një gjest shumë pozitiv për të kuptuar që ne, si shoqëri kosovare, jemi të hapur për të gjithë dhe kemi kritere të njëta për të gjithë”, deklaroi Avni Kastriti, kryetar i Komunës së Mitrovicës
 
Këtë nismë e ka vlerësuar pas mbledhjes së qeverisë edhe zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi. “Besoj që secili prej nesh e di që tranzicioni në mentalitet ndikon, ndoshta përmes neofunksionalizmit. Ndoshta ka nevojë që metoda të tilla të shoqërisë civile, spitalet private ndikojnë më lehtë dhe janë më të pranueshme për qytetarët serbe, ndërkohë do të integrohen në institucionet tona”.
 
Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, ende nuk ka institucione shëndetësore të Kosovës, ndërsa funksionon vetëm spitali që financohet nga Serbia.

Top Channel