Kosova tashmë ka përfunduar përgatitjet e saj për pritjen e presidentit të Shqipërisë z.Bujar Nishani.

Për ndër të vizitës së parë të Presidentit Shqiptar në Kosovë, rrugët e kryeqytetit kosovar janë zbukuruar me flamuj kombetare dhe flamurin shtetëror të Kosovës.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani viziton Kosovën me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga. Vizita, sipas axhendës do të zgjasë tri ditë.

Në këtë vizitë të parë shtetërore në Kosovë, në cilësinë e kryetarit të shtetit, presidenti do të kryesojë një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit do të jenë dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj e ministri i Brendshëm, Flamur Noka.

Disa nga veprimtaritë që spikasin në axhendën e ngjeshur të vizitës së kreut të shtetit shqiptar në Kosovë do të jenë: takimi me presidenten Atifete Jahjaga, në përfundim të së cilit të dy homologët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp, takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të pasohet nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit Nishani, si dhe takimi me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidentit Nishani pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe me lideret e partive të tjera si VV, AAK, AKR dhe me autoritete të tjera vendase si dhe me zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviç.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, kryetari i shtetit shqiptar do të zhvillojë homazhe në varrin e ish-presidentit Rugova dhe në varrin e Adem Jasharit, të cilat do të pasohen nga vizita e presidentit Nishani në familjet respektive të këtyre figurave të shquara historike të Kosovës.

Kreu i shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën Katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës.

Një etapë e veçantë e kësaj vizite do të jetë edhe fjala që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbajë në një universitet privat, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovare, intelektualë, pedagogë dhe studentë.

Top Channel