Merkel pret Montin

29/08/2012 00:00

“Diplomacia e ecejakeve” po shton shpejtësinë, përpara shtatorit, i cilësuar si muaji vendimtar për Euron. Kancelarja gjermane, Angela Merkel priti ne Berlin kryeministrin italian, Mario Montin.

Vizita e shkurtër e teknokratit vjen në kohën kur cmimet që italia paguan për për të shlyer borxhet afat-shkurtra ka shënuar nivelin më të ulet, prej muajit mars. Për Montin tregjet kanë nisur të shpërblejnë përpjekjet e Romës.

“Progresi që kemi shënuar është i ngadaltë, por po pranohet nga tregjet. Kemi marrë rezultate të mira dje nga letrat me vlerë të qeverisë dhe sot vecanërisht po t’i referohesh normave të interesit. Edhe organizatat ndërkombëtare e kanë pranuar këtë”, tha kryeministri italian, Mario Monti.

“Konsolidimi i gjërë dhe axhenda e Qeverisë dhe Mario Montit janë mbresëlënëse dhe reformat e tyre janë kryer hap pas hapi dhe janë zbatuar.Jam personalisht plotësisht e bindur se këto perpjekje do të japin frutet e tyre”, u shpreh kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Gjatë një interviste për të përditshmen italiane “Il Sole 24 ore”, të mërkurën, Monti nënvizoi se diferenca mes letrave me vlerë të Gjermanisë dhe atyre të Italisë do ta vendosë Berlinin përballë rrezikut të inflacionit, si pasojë e normave artificiale të interesit.  Kancelarja Merkel foli për të përmirësuar koordinimin me Brukselin dhe Bankën Qendrore Europiane.

“Jemi të bindur se rruga që kemi zgjedhur është ajo e duhura. Jemi të bindur se duhet të përmirësojmë aftësinë për të bashkëpunuar brenda Eurozonës gjatë muajve të ardhshëm.Ne do të mbështesim punën e Herman Van Rompuj, Zhose Manuel Barrosos, Mario Dragit, Zhan Klod Junker-it me sugjerimet tona””, tha Merkel.

Italia dhe Gjermania u shprehen të gatshme për të përfunduar buxhetin afat-gjatë të Bashkimit Europian, për të ndihmuar vendet anëtare në vështirësi. Berlini me 12 shtator do të marrë edhe përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për përputhshmërinë ose jo të Mekanizmit Europian te Stabilitetit me ligjin gjerman.

Merkel dhe Monti shprehen shqetësimin e tyre për situatën në Siri dhe i kërkuan opozitës të jetë më e përgjegjshme ndërsa qeveria të zgjidhë krizën humanitare.

Top Channel