Hong Kongu, kundër teksteve kineze

29/08/2012 00:00

Ditën e shtunë në Hong Kong do të mbahet një manifestim i madh kundër futjes nëpër shkolla të leksioneve që tregojnë për patriotizmin kinez.

Në fund të javës së ardhshme, “kurrikulumi i arsimimit moral dhe kombëtar” pritet të debutojë në shkollat e ish-kolonisë britanike, pavarësisht se polemikat e javëve të fundit kanë nxjerrë në rrugë mijëra persona.

Hong Kongu u bë koloni e Mbretërisë Britanike pas Luftës së Parë të Opiumit, në vitet 1830-42. Më pas u pushtua nga Japonia gjatë Luftës së Paqësorit, pas të cilës Mbretëria e Bashkuar e mori sërish nën kontroll, për të hequr dorë në 97-ën, ku ishulli kaloi nën sovranitetin e Kinës.

Hong Kongu, ndonëse në vartësinë e një prej vendeve me politikat më të rrepta në botë, konsiderohet nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara si pika ku Lindja takohet me Perëndimin.

Në kuadër të parimit “një vend, dy sisteme”, Hong Kongu ka një sistem politik ndryshe nga ai i tokës mëmë, Kinës, ashtu si dhe një sistem gjyqësor dhe një kod pune ndryshe.

Ai ka një “shkallë të lartë të autonomisë” nga Pekini zyrtar, i cili del garant vetëm për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbrojtjen ushtarake.

Top Channel