Afganistan, ushtari vendas vret 3 të NATO-s

29/08/2012 00:00

Komanda e NATO-s në Afganistan ka njoftuar se një shtetas afgan i veshur me uniformë ushtarake ka vrarë tre ushtarë të ISAF.

Sulmi i armatosur ka ndodhur në provincën jugore të Uruzganit, kanë bërë të ditur burime pranë misionit të aleatëve.

Ndërkohë, ushtria australiane ka konfirmuar se disa ushtarë të saj kanë mbetur të vrarë në një incident, por pa saktësuar se sa.

Rreth 1500 ushtarë australianë janë vendosur në provincën e Uruzganit, si pjesë e misionit ISAF. “Konfirmojmë se disa anëtarë të Forcave Australiane të Mbrojtjes kanë mbetur të vrarë në Afganistan”, thuhet në një komunikatë të FAM.

Rreth 45 trupa të koalicionit kanë vdekur në më shumë se 30 sulme të tilla të regjistruara gjatë këtij viti. “Ngjarja është në hetim e sipër”, kanë deklaruar burimet.

NATO po stërvit trupat afgane përpara tërheqjes së misionit të saj, që parashikohet të nisë nga fundi i vitit të ardhshëm.

Guerrilasit talebanë kanë qenë aktivë në rekrutimin e anëtarëve të forcave afgane të sigurisë, duke njoftuar se sulmet e brendshme janë pjesë e strategjisë së tyre kundër forcave të Aleancës.

Top Channel