Për herë të parë në një takim trepalësh, Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë për armët bërthamore Një gjykatë në Izrael ka vendosur se shteti hebre nuk kishte faj për vdekjen e aktivistes amerikane Rachel Corrie, që u vra në Rripin e Gazës nga një buldozer i ushtrisë izraelite në vitin 2003.
Familja e zonjushës Corrie kishte ngritur një padi civile për neglizhencë ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit, por gjyqtari i çështjes tha se vdekja e 23-vjeçares ishte vetëm një “incident i vajtueshëm”.
Ai tha gjithashtu se shteti nuk ishte përgjegjës për asnjë dëm të shkaktuar, pasi ngjarja ka ndodhur në kohë lufte.
Gjyqtari Oded Gershon, kryetar i trupit gjykues në gjykatën e qytetit të Haifas, deklaroi se 23-vjeçarja Corrie kishte dalë në mbrojtje të terroristëve në një zonë luftarake.
Sipas tij, shoferi i buldozerit nuk e kishte parë atë dhe ushtarët kishin bërë gjithçka për t’i mbajtur njerëzit jashtë zonës luftarake.
“Ajo nuk u distancua nga zona, siç do të kishte bërë çdo njeri i arsyeshëm”, tha gjyqtari. Ai vendosi gjithashtu se shteti i Izraelit nuk ka për të paguar për asnjë dëm.
Familjarët e Corrie kishin kërkuar në mënyrë simbolike 1 dollar për dëmet dhe shpenzimet ligjore. Ata e akuzonin Izraelin për vrasje të qëllimshme dhe të paligjshme të vajzës së tyre, si dhe për dështim në kryerjen e një hetimi të besueshëm.
Një hetim i ushtrisë izraelite në vitin 2003 arriti në përfundimin se forcat ushtarake nuk mund të fajësoheshin për vdekjen e 23-vjeçares.
Top Channel