Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku ka takuar të martën dy liderët e partive kryesore në Maqedoni, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Menduh Thaçin e PDSH-së. Zoti Çejku tha se thellimi i bashkëpunimit mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase është i domosdoshëm për proceset integruese dhe stabilitetin e vendit.

“Ndamë mendime të përbashkëta për ecurinë e mëtejshme të statusit të shqiptarëve të Maqedonisë dhe për zhvillimet e fundit me theks të veçantë rëndësinë që ka stabiliteti i Maqedonisë, integrimi euro-atlantik i saj, si dhe njëkohësisht ripërsëritëm rëndësinë që ka thellimi i bashkëpunimit mes partive politike shqiptare dhe atyre jo shqiptare me prioritet integrimin e vendit, paqën, stabilitetin dhe progresin”, tha Arben Çejku, Ambasador i Shqipërisë në Maqedoni.

Takimet e Çejkut me liderët shqiptarë në Maqedoni vijnë pas krizës politike që ka shkaktuar projekt-ligji i partisë së kryeministri Nikolla Gruevski, që përjashton luftëtarët e UÇK-së nga disa të drejta të vecanta që parashihen vetëm për forcat e sigurisë maqedonase që morën pjesën në konfliktin e vitit 2001.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, ripërsëriti qëndrimin se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë për të bllokuar këtë ligj anti-shqiptar.

“Sigurisht që PDSH-ja e ka variantën e vet dhe është e gatshme të bisedoj edhe me të tjerët, por momenti final do të jetë braktisja e atyre institucioneve nga ana e shqiptarëve që sjellin ligje të këtilla anti-shqiptare dhe ligje të këtilla edhe në aspektin financiar të paqëndrueshme totalisht”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.  

Projekt-ligji problematik i partisë së kryeministrit Gruevski do të gjendet në rend dite të debatit parlamentar më 10 shtator. Partia e opozitare e Branko Cërvenkovskit ka paralajmëruar se do të mbështes projekt-ligjin, ndërsa nga BDI thonë se nëse në ligj nuk përfshihen ushtarët e UÇK-së, kjo parti do ta braktisë koalicionin qeveritar me VMRO-DPMNE-në.

Top Channel