Venezuelë, hetime për zjarrin në rafineri

26/08/2012 08:50

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, urdhëroi nisjen e një hetimi urgjent, për të zbaluar arsyet e shpërthimit që përfshiu rafinerinë më të madhe të naftës në vend, duke ndezur një zjarr përgjegjës për humbjen e dhjetërave jetëve.

24 orë pas shpërthimit të ndodhur në rafinerinë e Amuait, bilanci i viktimave është rritur në 39, ndërsa mbi 80 të tjerë janë të plagosur.

Si rrjedhojë e kësaj tragjedie, Chavez shpalli tre ditë zie kombëtare.

Më përpara, Ministri i Energjisë, Rafael Ramirez, spekuloi se një rrjedhje gazi ishte ajo që kishte shkaktuar incidentin, por mediat vendase spekulojnë edhe mundësinë e sabotazhit.

”Dua të dërgoj ngushëllimet e mi në familjet e të gjithë viktimave, civilë apo ushtarakë, duke shprehur dhembjen më të madhe personale, qeveritare dhe të të gjithë popullit venezuelian. Kam vendosur të shpall tre ditë zi kombëtare, në nderim të viktimave dhe për të vajtuar të gjithë bashkë si një familje e madhe të gjithë ata që humbën jetën në këtë aksident tragjik”, deklaroi presidenti Chavez.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti Elias Jaua, konfirmoi se 18 prej viktimave janë anëtarë të Gardës Kombëtare, ushtarakë të stacionuar në rafineri për mbrojtjen e saj.

Top Channel