Priftërinj dhe besimtarë ortodoksë në Serbi janë lutur të dielën që të bjerë shi, në mënyrë që të marrin fund javët e gjata me thatësirë, që kanë prishur të mbjellat dhe kanë shkaktuar zjarre në pyje.

Besimtarët u mblodhën në qytetin e Valjevos, në qendër të Serbisë, për t’iu përgjigjur thirrjes së bërë dy ditë më parë të peshkopit lokal.

Parashikuesit e motit sugjerojnë se lutjet e besimtarëve mund të gjejnë përgjigje, pasi priten shira në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Në jug-perëndim të Serbisë, trupat ushtarake janë vendosur prej ditësh për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, që kanë rënë në afërsi të qytetit të Çaçakut.

Rusia, aleat historik i vendit ballkanas, ka dërguar gjithashtu dy avionë për të hedhur ujin mbi flakët, që kanë dëmtuar shtëpi, pyje dhe tokë të mbjellë, në një sipërfaqe prej 90 kilometrash, në jug të Beogradit. Autoritetet po luftojnë gjithashtu me zjarre të shumta të rëna në mbarë Serbinë.

Në një thirrje të bërë të premten, peshkopi Milutin në Valjevo u kërkoi besimtarëve që të shlyenin mëkatet e tyre duke u lutur për të rënë shi.

“Shumë njerëz pyesin përse Zoti ka lejuar që të ndodhë një fatkeqësi e tillë në tokë. Përse ky ndëshkim”, u citua peshkopi nga dioqeza e Valjevos.

Top Channel