Kryeqyteti kosovar, mëngjesin e së shtunës është “mbuluar” me dhjetra “fletë-arreste” me subjekt krerët më të lartë të vendit.

Fletët e rreme të arrestit mbanin emrat e kryeministrit Hashim Thaçi, zv/kryeministren Mimoza Kusari-Lila, ministrat Besim Beqaj dhe Bedri Hamza.

Në letrat e vendosura nëpër mure shkruhet: “Stacioni Policor, pas marrjes së autorizimit nga Prokurori i Prokurorisë Speciale për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se kanë vepruar kundër interesave të qytetarëve duke e shkatërruar ekonominë e vendit përmes shitjes së ndërmarrjeve publike si: Posta dhe Telekomi i Kosovës dhe Distribucionit të KEK-ut si dhe dyshimit të bazuar qe të njëjtin kanë shprehur gatishmëri edhe për likuidimin e ndërmarrjes Trepça, lëshon Urdhër Arrest”.

Në “Urdhër Arrest” thuhet se “këta persona të motivuar nga interesat e tyre personale dhe klanore, duke e rrezikuar seriozisht ekonominë e vendit. “Të pandehurit edhe në raste të mëhershme kanë kryer vepra kriminale jashtëzakonisht të dëmshme për Republikën e Kosovës, dhe të njëjtit paraqesin rrezik të vazhdueshëm për shoqërinë, në rast se lihen të lirë. Policia e Kosovës i fton qytetarët që për çdo informatë në lidhje me vendndodhjen e personave të lartcekur të kontaktojnë në numrin e telefonit 112 apo në stacionin më të afërt të Policisë”, shkruhet në urdhër-arrestin fals.
Ne lidhje me këtë aksion që nuk u mor përsipër nga askush, policia kosovare ka ndaluar tre aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët dyshohen të kenë kryer këtë vepër.

Sipas policisë, ndalimi i tyre është bazuar në përdorimin e paligjshëm të logos së policisë së Kosovës. “Kjo afishe në formë të memos së policisë është e falsifikuar nga ana e aktivistëve të “Vetëvendosjes”, e cila njëherësh përmban edhe numrin e rastit i cili po ashtu është i falsifikuar”, thuhet në njoftim.

Top Channel