Takimi aq jetik për Greqinë midis kancelares gjermane dhe presidentit francez është zhvilluar në një klimë të rëndë, por që gjithsesi ka ngjallur disa shpresa në Athinë për pozitivitetin e takimit të së premtes të zonjës Merkel me kryeministrin grek Samaras.

Karakteristika e përbashkët e udhëheqësve të dy shteteve më të fuqishëm të Eurozonës ishte fakti që deklaratat e tyre përmbanin kërkesën që Greqia të respektojë angazhimet dhe detyrimet e saj.

“Është e rëndësishme për mua që ne të gjithë tu qëndrojmë besnikë angazhimeve tona dhe mbi të gjitha ne presim raportin e Troikës për të parë rezultatet. Por ne do të inkurajojmë Greqinë të vazhdojë në rrugën e saj të reformave, të cilat kërkohen edhe nga shumica e popullit grek”, u shpreh Merkel.

Nga ana e tij presidenti francez ka theksuar se dëshira e tij është që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.

“Ne gjithashtu do të diskutojmë atë që ndodh për muaj me radhë në Greqi. Zonja Merkel do të takohet me zotin Samaras nesër dhe unë do e takoj atë të shtunën. Ne duam dhe unë dua që Greqia të qëndroje në Eurozonë. Kjo është ajo që ne kemi thënë që nga fillimi i krizës. Kjo për grekët ka kuptimin që të bëjnë përpjekjet e nevojshme dhe kështu ne mund ta arrijmë këtë objektiv”, theksoi Hollande.

Sipas analistëve, takimit i kanë munguar buzëqeshjet dhe ngrohtësia e epokës “Merkozi”. Boshti franko-gjerman ka pësuar një të çarë të thellë nga këmbëngulja e Hollande për reforma që do t’i japin një zhvillim ekonomisë në kundërshtim me recetën e masave shtrënguese financiare që propozon Merkel për gjithë Eurozonën.

Në orët e ardhshme sytë e miliona grekëve do të jenë përsëri drejt Berlinit në takimin e shumëpritur midis kancelares gjermane dhe kryeministrit Samaras dhe më pas drejt Parisit ku ai do të takojë edhe presdientin francez duke përfunduar turin e parë europian të tij qysh prej ardhjes në fuqi në qershorin e kaluar.

Gjithsesi, nëse Greqia do të sigurojë pak frymëmarrje, siç ka kërkuar Samaras prej kreditorëve kryesorë të tij, kjo do t’i jepet ose jo pas raportit të Troikës që viziton Athinën në javën që vjen.

Top Channel