Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje qeverisë që të përgatisë një pako sociale shtesë për kategoritë e rrezikuara, pasi ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve bazë do të jetë një grusht i rëndë për politikën sociale në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se të dhënat rreth ngritjes së çmimeve të produkteve bazike janë alarmante dhe se duhet një qasje serioze dhe pragmatike në këtë drejtim. Sipas tij, në Kosovë ka ngritje të çmimeve dhe nuk ka punësim dhe ky është një sinjal i qartë që institucionet duhet të bëjnë më tepër në forcimin e pakos sociale.

“Ajo që brengos më tepër aktualitetin ekonomik është rritja e mundshme e çmimeve të artikujve ushqimorë. I kemi analizuar disa fakte dhe shifra shqetësuese në realitetin kosovar. Jemi nisur nga fakti që 325 mijë qytetarë përfshihen në asistencë sociale dhe kjo nënkupton që rreth 20 për qind e popullsisë janë të varfër dhe të gjithë këta janë të orientuar në asistencë sociale, të cilat nuk mjaftojnë falë standardit jetësor, që shumëkush e krahason Kosovën, si një shtet me standard dhe çmime evropiane dhe të hyra afrikane”, deklaroi Gërxhaliu.

Gërxhaliu po ashtu foli dhe për stimulimin dhe mbrojtjen e prodhimit vendor, në kontestin e krizë së vitit 2012. Ai tha se OEK ka qenë një zë lobues që vizioni ekonomik i Kosovës të jetë i orientuar nga prodhimi dhe ndryshimet në politikën fiskale, të jenë në funksion të zhvillimit ekonomik, duke mbështetur sektorin privat, në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe që fokus i veçantë t’i kushtohet sektorit prodhues.

“Shumë herë ka qenë shqetësues fakti që në komunitetin e biznesit është shpërndarë një informatë jo e mirë, që shumë më lehtë dhe më mirë është që në Kosovë të tregtohet se sa të prodhohet. Ne si OEK kemi lobuar dhe kemi avancuar partneritetin dhe dialogimin me qeverinë e Kosovës dhe vërtet orientimi kyç ka qenë që të jemi të orientuar nga prodhimi vendor, jo vetëm për të promovuar vlerat e Kosovës, jo vetëm për të promovuar rëndësinë e sipërmarrjes kosovare, por dhe që të forcohen indikatorët ekonomikë, që do të vinin si rezultat i forcimit dhe avancimit të prodhimit ”, theksoi Gërxhaliu.

Oda Ekonomike, me qëllim të krijimit të një garancie të stabilitetit ekonomik dhe politik, rekomandon që urgjentisht të fillojë krijimi i rezervave shtetërore, në mënyrë që së paku të mos vazhdojnë pasojat edhe vitin tjetër. Të përshkallëzohet TVSH-ja për produkte bazë, drithëra, sheqer dhe vaj, si e vetmja mundësi për të mbajtur fuqinë blerëse pa rënë. Të subvencionohet nafta dhe plehrat, që janë përdorur në kultivimin dhe korrjen e kulturave bujqësore të drithërave dhe të përgatitet një pako sociale shtesë për kategoritë më të rrezikuara.

Gërxhaliu pohoi se beson që këto rekomandime të pa politizuara dhe profesionale do të merren në shqyrtim në të mirë të Kosovës, stabilitetit social dhe mirëqenies së qytetarëve.

Top Channel