Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, përfaqësues të shoqatave nga komuna të ndryshme të Kosovës thanë se nëse institucionet vendase dhe ndërkombëtare nuk ndërmarrin veprime të shpejta për të zbardhur fatin e të gjithë të zhdukurve, që nga lufta e vitit 1999, ata do të dalin në rrugë në protesta.

“Ne parashikojmë që të realizojmë protesta jo të zakonshme, por nga më masivet që mund të kenë parë ndonjëherë në jetë, sepse nuk mund të durojmë më. Kemi duruar shumë deti më sot, por asnjë shoqatë apo njeri në botë nuk mund të shfaqë këtë durim që kemi treguar ne në këtë proces pa fund”, u shpreh Bajram Qerkini, i shoqatës “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë.

Në anën tjetër, Nysrete Kumtova, nga organizata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova ka thënë se organizata, e cila ka bërë identifikimin së bashku më familjarët e të pagjeturave ka bërë gabime. Sipas saj, janë varrosur njerëz në vende të gabuara.

“Tashmë po kërkohen nga familjarët, pasi është mësuar që organizata që është bërë me identifikimin ka bërë gabime të shumta në identifikimin e trupave dhe tashmë në shumë rajone janë të varrosura eshtrat e të dashurve tanë në mënyrë të gabuar. Nga aty duhet të bëhet përsëri hapja e varrezave, që të merren ata trupa dhe të rikthehen përsëri për identifikim”, u shpreh Kumtova.

Ky debat u mbajt në Mitrovicë ndërkohë ishte organizuar nga komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur në bashkëpunim me shoqatat e familjarëve me persona të  zhdukur.

Personat e pagjetur vazhdojnë të mbesin një barrë e rëndë për shoqërinë kosovare. Ende nuk dihet asgjë për fatin edhe të 1 781personave, të cilët janë zhdukur gjatë luftës së vitit 1999.

Top Channel