Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Nju Jork, ka deklaruar se nuk është takuar me homologun serb Ivica Daçiç në kuadër të seancës së Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

“Nuk ka qenë i planifikuar një takim me Daçiç. Ka qenë një axhendë e pranisë së dy kryeministrave në Këshillin e Sigurimit. Unë kam prezantuar suksesin e Republikës së Kosovës me përmbylljen e mbikëqyrjes. Kemi ndryshime të Kushtetutës në këtë drejtim dhe më 10 shtator do të jepet vendimi”, ka deklaruar Thaçi.

Duke folur në një intervistë për VOA, shefi i ekzekutivit kosovar ka nënvizuar se Kosova është tërësisht pro normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova është pro normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, pasi kjo është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin. Gjithashtu, normalizimi nënkupton europianizimin e të gjithë rajonit. Prandaj duhet të zbatojmë marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe pastaj të shohim për vazhdimin e dialogut”, ka pohuar Thaçi.

Kryeministri ka nënvizuar se proçesi i normalizimit të marrëdhënieve nuk është ekskluzivitet i një partie, por për këtë sipas tij është i nevojshëm uniteti politik i Kosovës.

Ai ka theksuar se, partitë politike duhet t’i lënë mënjanë ndasitë dhe interesat personale dhe të shohin drejt interesave madhore që kanë të bëjnë me Kosovën dhe popullin e saj.

“Normalizimi i raporteve me Serbinë nuk është çështje e një mandati qeverisës apo e një partie. Kapitulli i së kaluarës është mbyllur, ndonëse nuk është harruar kurrë, por tani po shohim drejt së ardhmes. Duhet t’i lëmë mënjanë interesat partiake dhe të shohim interesat shtetërore”, ka thënë Thaçi.

Më tej, kryeministri kosovar ka hedhur poshtë zërat për ndryshime të mundshme të koalicionit qeverisës, duke e cilësuar atë si më të suksesshmin.

“Ndryshimet politike ndodhin në proçeset elektorale. Koalicioni aktual është koalicioni më i mirë qeverisës. Nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme, ato do bëhen në afatin e caktuar me Kushtetutë”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa lidhur bisedimet dypalëshe me Serbinë ai ka shtuar se, nuk ka një axhendë urgjente, por Prishtina ka pika orientuese për Kosovën dhe veriun, për të integruar këtë zonë në shoqërinë kosovare.

Top Channel