Për shkak të dialogut me Kosovën, Serbia do të presë edhe një vit për të marrë datën për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i Këshillit për integrime evropiane në Parlamentin e Serbisë, Laslo Varga.

Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, Varga ka nënvizuar se gjasat që Serbia të marrë pranverën ose verën e vitit të ardhshëm datën e negociatave janë shumë të vogla.

“Nëse nuk caktohet data e dialogut me Kosovën, gjë për të cilën gjasat janë të vogla, BE do të parashtrojë detyra të reja. Prandaj, mendoj se është pak reale që datën ta marrim para dhjetorit të 2013-ës”, ka deklaruar Varga.

Ai ka shtuar më tej se, duke qenë se dialogu me Kosovën është kushti kryesor për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, atëherë me siguri Serbisë do t’i duhet të presë edhe një vit.

Top Channel