Kosovë, opozita kritikon Thaçin

Opozita kosovare i jep notë negative paraqitjes së kryeministrit kosovar në seancën e Këshillit të Sigurimit. Përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se kryeministri Hashim Thaçi nuk ishte konkret në fjalimin e tij.

Sipas tyre, kryeministri duhet të fokusohej në funksionimin e strukturave ilegale në veri dhe të kërkonte nga OKB-ja shuarjen e tyre.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani citohet të këtë thënë se, gatishmëria që ka dhënë kryeministri i Kosovës për dialog politik me Serbinë, pa asnjë kusht, ka qenë një gabim strategjik i Kosovës.

Për më tepër, ajo ka shtuar se është dëgjuar nga kryeministri të flitet se nuk do të bëhet dialog për sovranitetin, integritetin territorial apo pavarësinë, por, sipas saj, asnjëra nga këto të tria nuk e përjashton mundësinë e një statusi special apo një autonomie në veri.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se kryeministri humbi rastin për t’i thënë kryeministrit serb se ka qenë një nga projektuesit e veprimtarive kriminale dhe njeri i afërt i Millosheviçit.

“Për të qenë korrekt, kryeministri i përmendi strukturat kriminale të Serbisë në një apo dy fjalë, por nuk u tregoi asnjëherë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se kush është kryeministri i Serbisë. Pra, nuk e përmendi asnjëherë faktin që Daçiç ka qenë projektues ose një ndër projektuesit e veprimtarive kriminale dhe genocidale të Millosheviçit në Kosovë. Kjo, pasi dihet se ky ka qenë një njeri i afërt i tij dhe anëtar i Partisë Socialiste. Dhe ne mendojmë se ka humbur një shans për të treguar fytyrën e vërtet të Serbisë si shtet dhe fytyrën aktuale të qeverisë së Serbisë si qeveri, me përmasa fashiste karshi shqiptarëve”, ka thënë Ymeri.

Ndërkohë, deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi kërkon që vijat e Kosovës të jenë shumë më specifike dhe të sakta, sa i përket temave që lidhen me integritetin dhe sovranitetin e vendit, si dhe me probleme siç është veriu i Kosovës.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit, ku u diskutua për zhvillimet në Kosovë, kryeministri kosovar gjatë fjalës së tij theksoi se, shtetësia e Kosovës është fakt politik dhe juridik. Më tej ai ritheksoi se, kurrë nuk do të rrezikohet pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues i saj.

Top Channel