Kina: Armët kimike, justifikim i SHBA

22/08/2012 15:35

Mediat shtetërore kineze kanë akuzuar presidentin amerikan Barack Obama se po planifikon të përdorë armët kimike të Sirisë si një justifikim për ndërhyrje ushtarake.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” i është përgjigjur paralajmërimit të zotit Obama se, Siria do të kalonte “vijën e kuqe” nëse do të përpiqej të përdorte armë të tilla.

“Sërish, fuqitë Perëndimore po gërmojnë thellë për të gjetur justifikime për një ndërhyrje ushtarake”, ka shkruar “Xinhua” në edicionin e saj online.

Kina dhe Rusia kanë bllokuar disa herë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Sirisë nga OKB.

Komenti i “Xinhua” nuk është një deklaratë zyrtare, por ajo reflekton frikën në radhët e liderëve komunistë kinezë se Perëndimi dëshiron ndryshimin e regjimit në Damask, deklaron korrespondenti i BBC nga Pekini.

Aktivistët e opozitës siriane deklarojnë ndërkohë se tetë persona janë vrarë të mërkurën në një ofensivë të ushtrisë siriane në zonat e kontrolluara nga rebelët, në kryeqytetin Damask. Gjithësesi, lajmi nuk mund të verifikohet në rrugë të pavarur.

Aktivistët e opozitës deklarojnë se mbi 20 mijë persona, shumica e të cilëve civilë, kanë vdekur që nga nisja e kryengritjes kundër presidentit Assad vitin e kaluar.

Top Channel