Afrikë e Jugut, tension në një tjetër minierë

22/08/2012 16:20

Është zgjeruar protesta e minatorëve në Afrikën e Jugut, pas masakrës në Marikana, ku 34 protestues u vranë nga forcat e policisë.

Të paktën 600 punëtorë në një minierë të afërt, ku nxirret gjithashtu platinit, kanë braktisur punën në shenjë proteste.

Lajmin e bën të ditur kompania që menaxhon minierën, “Royal Bafokeng Platinium”. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur katër furgonë më agjentë policie.

Një ditë më parë miniera në Marikana rinisi punën e saj pas përleshjeve të policisë me punëtorët që lanë të vdekur 34 grevistë.

Megjithatë, kompania që menaxhon minierën, “Lonmin”, pranoi se për shkak të trazirave do ta ketë të pamundur të arrijë kuotën e paravendosur të prodhimit për këtë vit.

Sipas mediave vendase, humori i punëtorëve në minierë ishte i tensionuar, por i qëndrueshëm. Një javë më parë, policia hapi zjarr ndaj turmës së punëtorëve të armatosur me hanxharë, pasi ata refuzuan të ulnin armët e ftohta.

Punëtorët paguhen 300-500 dollarë, por kërkojnë trefishimin e pagës. “Lonmin”, prodhuesi i tretë më i madh në botë i platinit, u shpreh se nuk do të plotësojë kërkesat, ndërsa e konsideroi grevën si të paligjshme.

Nga ana tjetër, presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma njoftoi më herët gjatë muajit hapjen e një hetimi për masakrën, duke i cilësuar vdekjet e minatorëve si “tragjike”.

Top Channel