Sulm avionit të kreut të ushtrisë amerikane

21/08/2012 11:10

Një raketë e qëlluar nga rebelët në një bazë amerikane në Afganistan ka dëmtuar avionin e ushtarakut më të lartë amerikan që ndodhej për një vizitë atje.

Gjenerali Martin Dempsey, kryetar i Shtabit të Përgjithshëm, nuk ishte pranë avionit në momentin e goditjes, por dy mirëmbajtës të mjetit mbetën të plagosur lehtë.

Sulmi ndodhi në orët e vona të së hënës, në bazën ajrore të bagramit. Gjenerali ndodhej në Afganistan për të diskutuar mbi rritjen e sulmeve ndaj ushtarëve të NATO-s nga personeli i forcave afgane të sigurisë.

Një zëdhënës i NATO-s ka deklaruar ndërkohë se gjenerali Dempsey ka lënë Afganistanin mëngjesin e së martës duke përdorur një avion tjetër.

Së fundmi ka pasur sulme të shumta të rebelëve ndaj bazës ajrore të fortifikuar, që ndodhet rreth 50 kilometra në veri të Kabulit.

Në maj të vitit 2010, militantët nisën një sulm të koordinuar në Bagram, duke plagosur ushtarë të shumtë të NATO-s. Ndërsa dy ushtarë amerikanë u vranë në një sulm të ngjashëm në qershor të vitit 2009.

Top Channel