Me qëndrime diametralisht të kundërta u paraqitën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.

Teksa Daçiç në fjalën e tij ritheksoi se Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe se statusi i saj është ende i pazgjidhur, kryeministri kosovar tha se statusi i Kosovës njëherë e përgjithmonë është zgjidhur më 17 shkurt të vitit 2008.

“Duhet një zgjidhje e pranueshme nga të gjitha palët për statusin final të Kosovës”, u shpreh Daçiç.
 
Më tej, kryeministri kosovar, i cili për herë të parë ishte në këtë pozicion, tha se Kosova ka kohë që ka shprehur gadishmërinë e saj për bisedime të nivelit të lartë kryesisht për çështjen e veriut.  

“Vendosmëria jonë dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare kanë prodhuar një shtet modern me qëllimin në institucionet euroatlantike. Statusi është zgjidhur përgjithmonë në 17 shkurt të vitit 2008”, theksoi Thaçi.

Më tej, ai përmendi integrimin e serbëve në institucionet kosovare ku sipas tij më shumë se 100 mijë prej tyre tashmë janë integruar në institucionet vendase ndërkohë më shumë së 50 mijë janë pajisur me dokumente të shtetit të ri.

Ai tha se gjithçka mbetet për të biseduar me Serbinë është çështja e Veriut. Kryeministri kosovar ritheksoi se mosnjohja e Kosovës rrezikon stabilitetin në rajon. Më tej, Thaçi ka pranuar se Kosova nuk po mundet ta shtrijë autoritetin në tri komunat në veri të Kosovës. Sipas tij, e gjithë kjo pengesë është duke u bërë nga strukturat paralele që mbështeten drejtpërdrejt nga qeveria e Serbisë.
 
“Këtë vit kam paralajmëruar bisedime me qytetarët e Kosovës dhe ne kemi hartuar një plan për integrimin e veriut të Kosovës. Na duhet mbështetje për shtrirjen e sundimit të ligjit në atë pjesë, të shpërbëhet policia e paligjshme që operon atje. Vetëm nëse këto ndodhin atëherë mund të ketë pajtim”, theksoi Thaçi.
 
Ndërkohë, shefi i Unmik-ut, Farid Zarif ka kërkuar prezencë më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pasi sipas tij është “jashtëzakonisht i nevojshëm”.

Ai ka bërë thirrje që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja të vazhdojë. Më pas mbledhja vazhdoi me dikutimin e raportit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, ku fokus kryesor padyshim kishte veriu i Kosovës.

Top Channel