Debatet për përmbylljen e mbikqyrjes së pavarësisë, e cila pritet të bëhet në një ceremoni solemne javën e dytë të shtatorit, vazhdojnë edhe më tej në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i pyetur për prezencën e misioneve ndërkombëtare, ka thënë se KFOR mbetet me deklaratën e pavarësisë që është miratuar në Kuvend, ndërsa për EULEX-in ka thënë se varet nga kërkesa e institucioneve të Kosovës.

”Derisa Kosova nuk i ka të përmbyllur çështjen e forcës së sigurisë, KFOR-i edhe ashtu mbetet edhe me deklaratën e pavarësisë të cilën e kemi miratuar në Kuvend, ndërsa sa i përket EULEX do të varet nga kërkesa e institucioneve të Kosovës për t’i ndihmuar ato në fushat për të cilat edhe ka ekzistuar deri më tani”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkaq, partitë opozitare në Kosovë, si LDK dhe Vetëvendosje, e shohin në mënyrë të ndryshme përfundimin e mbikqyrjes. Përderisa LDK është prp përfundimit të këtij procesi, në “Vetëvendosje” thonë se “nuk po përfundon mbikqyrja”.  

“Sigurisht, shteti ynë mbetet nën vëzhgim dhe nën mbikëqyrje të lehtë, por kjo nuk e zbeh kurrsesi rëndësinë e procesit që po vjen, të tërheqjes së disa punëve që i kanë kryer misionet ndërkombëtare në Kosovë. Kjo është e rëndësishme dhe po të kishim një qeveri efikase kjo do të mund të bëhej edhe më herët”, tha Ismet Beqiri, kryetari i grupit kuvendor të LDK-së.

Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës pritet që në javën e parë të shtatorit të miratojë përfundimisht Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, përmes të cilit bëhet përmbyllja e mbikqyrjes së pavarësisë.

Top Channel