Rusi, Kasparov rrezikon 5 vjet burg

20/08/2012 13:30

Opozitari dhe ish-kampioni i shahut rus, Garri Kasparov, ka lajmëruar të hënën se policia e ka thirrur për ta marrë në pyetje sepse akuzohet se ka kafshuar një nga agjentët e saj.

Mendohet se ky gjest është bërë të premten e kaluar në Moskë, gjatë protestave për gjykimin e këngëtareve të grupit Pussy Riot.

Vajzat e grupit Pussy Riot u dënuan me dy vite burg pasi kënduan kundër Vladimir Putinit brenda një tempulli ortodoks.

“Duan të më marrin në pyetje për një agresion nga ana ime. Më pas Komiteti do të vendosë nëse do të ndiqem apo jo penalisht”, ka deklaruar Kasparov nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen e tij zyrtare në internet, kasparov.ru.

Sipas ligjit rus, agresioni ndaj një agjenti policie ndëshkohet me një gjobë prej 5 mijë eurosh deri në 5 vjet burg.

“Mund të shihet qartë në shumë video se disa policë më arrestuan kur isha duke folur me gazetarët. Madje më kanë goditur”, shpjegon Kasparov, i cili do të denoncojë Policinë për arrestim të paligjshëm dhe abuzim me detyrën.

“Unë nuk kam reaguar fare e aq më pak të kem kafshuar policët”, lexohet në komunikatën e Kasparov.

Top Channel