Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të martën pritet të diskutoje për zhvillimet në Kosovë, duke u fokusuar në periudhën tremujore prill-korrik të këtij viti.

Si asnjëherë më parë në mbledhje do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç.

Pa dyshim, raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së i jep fokus të vençatë zhvillimeve në veri të Kosovës. Ai vlerëson se situata e sigurisë në këtë zonë mbetet e ndjeshme.

“Tensionet shpërthyen kur KFOR-i u përpoq të largonte bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit. Protestuesit lokalë dhunshëm u konfrontuan me KFOR-in, i cili u përgjigj me forcë. Rrjedhimisht, dy ushtarë të KFOR-it dhe pesë serbë të Kosovës morën plagë nga të shtënat”, thekson raporti.

Më 4 korrik, vazhdon dokumenti, Komiteti i Krizës i strukturës komunale në Mitrovicën Veriore, i sponsorizuar nga Beogradi, protestoi kundër aksionit të KFOR-it dhe shpalli se anëtarët e EULEX-it nuk do të lejohen të lëvizin lirisht nëpër Mitrovicën Veriore.

Gjatë javëve në vazhdim, tensionet në mënyrë graduale u zvogëluan dhe EULEX-i ishte në gjendje ta rimarrë qasjen në këtë hapësirë dhe t’i kryejë aktivitetet e veta normale.

Në kapitullin “Observimet”, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, pos të tjerash shkruan se me kënaqësi i shikon rezultatet konkrete që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit deri tani. “Megjithatë, jam i shqetësuar nga vështirësitë në të cilat ka hasur implementimi i disave prej tyre”, thekson Ban Ki Moon.

Rrjedhimisht, ai i fton palët të demonstrojnë qëndrim konstruktiv në kapërcimin e problemeve të këtilla dhe u bën thirrje ndërmjetësve që t’i kushtojnë kujdes më të madh dhe burime detajizimit të çështjeve të implementimit.

Në raport thuhet se serbët e veriut të Kosovës përkrahin Partinë Demokratike të Serbisë dhe Partinë Progresive. Megjithëse qeveria e Serbisë është përmbajtur nga mbajtja e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë, komunat Zveçan dhe Zubin Potok kanë vazhduar pavarësisht vërejtjeve formale nga Beogradi dhe Prishtina.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me përgatitjet, që ata i kanë përshkruar si “përfundim i mbikëqyrjes së pavarësisë”, shkruhet në raport, sipas të cilit, puna në këtë drejtim dhe reformat e ndërmarra pritet t’u heqin autoritetin ekzekutiv organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Ban Ki Moon, në fund të raportit të tij të gjatë, falënderon partnerët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, KFOR-in, NATO-n, Bashkimin Evropian, OSBE-në dhe agjencitë e OKB-së, për mbështetjen e tyre dhe për bashkëpunimin me misionin e UNMIK-ut.

Top Channel