Bashkimi për herë të dytë në një produksion i gjigandëve të filmave të zhanrit aksion, si Sylvester Stallone, Arnold Schwarzenegger, Bruce Willis, Jean Claude Van Damme, Dolph Lungdren dhe Chuck Norris, ka rezultuar mëse i suksesshëm.
Dhe për më tepër, një pjesë e rëndësishme e skenarit, megjithëse nuk është xhiruar këtu, zhvillohet në Shqipëri.
Filmi “The Expendables”, apo “Mercenarët 2”, i realizuar me regji të Simon West, ka arritur të marrë një shumë prej 29 milionë dollarësh gjatë fundjavës së kaluar në kinematë amerikane dhe kanadeze, duke u ngjitur kështu në majë të klasifikimit si filmi më fitimprurës i momentit.
Filmi flet për një grup miqsh që kërkojnë të hakmerren ndaj një mercenari rival, të luajtur nga Jean Claude Van Damme, për vrasjen e njërit prej tyre dhe rrezikun që i kanoset botës prej tij për shkak të një arme vdekjeprurëse të cilen ai kërcënon ta përdorë.
Një pjesë e mirë e historisë zhvillohet çuditërisht në Shqipëri, ku banda e mercenarëve vjen në kërkim të një thesari i cili kishte mbetur në një aeroplan që u rrëzua në Shqipëri.
Ky thesar rezulton të jetë një lloj harte, e cila tregonte vendndodhjen e një miniere platoniumi. Vendi ynë bëhet edhe pika e takimit mes mercenarëve dhe rivalit të tyre Jean Villain, i luajtur nga Van Damme.
Një prej mercenarëve vritet gjatë përleshjeve me grupin rival në tokën shqiptare dhe kur janë duke e varrosur mikun e tyre në majën e një kodre në Shqipëri, mercenarët nuk i kursejnë batutat dhe dozat e ironisë për Shqipërinë, “ku nuk ka regjistrime të rregullta as për vdekjet”.
Prodhimi i filmit flitet të ketë arritur shifrën 100 milionë dollarë dhe ka qenë një shans i mirë për aktorët që po i afrohen moshës së pensionit për të patur një tjetër hit në karrierën e tyre të suksesshme.
Produksioni është vazhdim i origjnalit “Mercenarët”, një sukses i vitit 2010 që arriti fitime prej 35 milionë dollarësh vetëm javën e parë në Amerikë dhe më pas deri në 274 milionë në gjthë botën.
Top Channel