Një i burgosur shqiptar është rrëmbyer prej personave të panjohur në qytetin Nafplio të Greqisë.
Ngjarja e pazakontë ndodhi rreth orës 11:00 të paradites të së hënës në oborrin e spitalit të këtij qyteti, në kohën kur 40-vjeçari shqiptar po dërgohej për kurim nën shoqërimin e katër gardianëve të burgut lokal.
Policia thotë se dy persona të cilët mbanin në duar kallashnikovë kërcënuan gardianët dhe nën kërcënimin e armëve morën me forcë të dënuarin. Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet publik për momentin, është dënuar me 20 vjet heqje lirie për grabitje me armë. Sipas policisë, ende nuk është e qartë nëse rasti konsiderohet arratisje apo pengmarrje, pasi sipas gardianëve 40-vjeçari u mor me dhunë nga personat e panjohur.
Forca të shumta policie kanë filluar një operacion për gjetjen e të dyshuarve, të cilët sipas dëshmitarëve janë larguar në bordin e një Audi në drejtim të pa ditur. Nëse bëhet fjalë për rrëmbim personi atëherë ky do të jetë rasti i parë në Europe ku një i dënuar sekuestrohet prej keqbërësve në shoqërinë e policëve të armatosur.
Edhe kjo ngjarje tregon situatën kaotike në burgjet dhe sistemin e drejtësisë së vendit fqinj, tashmë i goditur shumë rëndë prej krizës ekonomike.
Top Channel