Pajtim Bello – Tashmë sistemi i Partisë shtet në formë, në përmbajtje e në veprim duket se është instaluar.
Pavarësia e institucioneve ra, Partia shtet organizon, programon e drejton deri në detaje gjithçka dhe kudo. Institucionet janë nën thundrën e partisë shtet dhe të gjitha fijet e institucioneve lirohen e shtrëngohen nga një zyrë, ku shteti dhe partia shkrihen në një masë të vetme. Koha deri në zgjedhjet parlamentare të radhës numëron aq muaj sa gishtat e dorës. Në këtë hark kohor mjaft të shkurtër, lëvizjet dhe veprimet e mazhorancës do të jenë të shumta, të larmishme dhe me intensitet të lartë në kohë. Në çdo hap të mazhorancës do të manifestohet forca e pushteteve të orkestruara nga partia shtet, do të dallohet pafytyrësi dhe cinizëm i pashoq. Ndërkohë, pritet që mazhoranca të mos lejojë krijimin e hapësirave për faktorët opozitarë apo shoqërorë, që u bien ndesh interesave të mazhorancës. Nën peshën e pushteteve, të bëra një i vetëm, frymëmarrja e opozitës së fragmentuar ideologjikisht dhe organizativisht dhe e gjithë faktorëve të tjerë progresivë të shoqërisë do të vështirësohet dita-ditës. Përpara furisë së çmendur të partisë shtet, veprimtaria e organizatave të sipërpërmendura rrezikon të mos ketë suksesin për të realizuar misionin e shpëtimit të demokracisë nga totalitarizmi, por jo vetëm. Që të arrihet ky mision i shenjtë spektri opozitar duhet të iniciojë krijimin e një bashkimi të opozitës dhe të faktorëve progresistë të shoqërisë (me apo pa status juridik), që janë evidentuar dukshëm në vitet e qeverisjes Berishiane. Motivet, çështjet dhe arsyet e një bashkimi mbarëshoqëror janë. Klima politike dhe sociale gjithashtu është. Nga ana tjetër duket se bashkimi mbarë shoqëror, përveçse i mundshëm, është më se i domosdoshëm. Në planin strategjik Bashkimi qytetar do të përfaqësojë interesa madhore me karakter kombëtar, shoqëror, politik e social të rrezikuara (tashmë të bëra publike…) rreth të cilave shqiptarët bashkohen pa ngurrim. Ky Bashkim qytetar është një masë e madhe, një ortek gjigant që i vihet përballë kështjellës totalitariste. Dita-ditës, ky bashkim, do ta izolojë e tkurrë kështjellën totalitare, do ta shpërfytyrojë atë në sytë e shqiptarëve dhe do t’i dobësojë fuqinë e pushtetit abuziv në të gjitha strukturat e tij. Në planin taktik do të kemi një larmi e intensitet të lartë lëvizjesh e veprimesh shoqërore-politike, duke krijuar masivitet jo vetëm numerik, por edhe problemor e cilësor. Në planin operacional, Bashkimi qytetar krijon mundësinë e veprimtarive masive jo vetëm në Tiranë, por në çdo rreth e qark, duke zgjuar ndërgjegjen qytetare, duke vrarë indiferentizmin dhe frikën ndaj sjelljes arbitrare të pushtetit. Pra do të jetë edhe një përgjigje kuptimplote ndaj iniciativës “Vepro Tani” të ndërmarrë kohët e fundit nga z. Arvizu, ambasadori i SHBA në Tiranë. Parë në këto plane Bashkimi qytetar do ta lodhë, do ta çorodisë, do t’i shpenzojë energjitë dhe do ta demoralizojë pushtetin totalitar. Rëndësia e këtij bashkimi nuk është vetëm për sot, por edhe për të ardhmen pas zgjedhjeve parlamentare të radhës. Bashkimi qytetar është një garanci që në të ardhmen pushteti do të çlirohet nga totalitarizmi, institucionet do të fitojnë pavarësinë dhe do të kthejnë vëmendjen nga interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve. Forcat politike të përfshira në qeveri apo jashtë saj do të përshpejtojnë kryerjen e reformave dhe plotësimin e detyrimeve dhe kritereve për integrimin e vendit në BE. Ndërkohë që zgjimi dhe presioni popullor, i edukuar nga veprimtaria e Bashkimit qytetar, do të jetë një mësim i pandërprerë për shtetarët e ardhshëm. Por le të kthehemi tek e tashmja. Forcat politike dhe faktorët e tjerë shoqërorë duhet të përshpejtojnë të organizohen mbi një platformë që siguron njësim dhe pavarësi. Ndërkohë, duhet të programojnë veprimtari konkrete për të provuar ekzistencën dhe eficencën e Bashkimit qytetar, duke filluar në çështjet dhe format më të thjeshta që mund të zhvillohen në qendra qarqesh. Çështje të tilla mund të jenë shfuqizimi i Ligjit për importin e mbetjeve, ndërprerja e privatizimeve të përshpejtuara e të pamotivuara ku duket qartë (dhe është provuar) se shpërdorohet e rrezikon të vidhet prona publike, ruajtja e integritetit territorial të Shqipërisë etj.., ku forcat politike dhe shumë faktorë të shoqërisë kanë qëndrime të njëjta dhe veçmas kanë ndërmarrë iniciativa të rezistencës ndaj arbitraritetit të pushtetit. Bashkimi qytetar, për çështjet e mësipërme, brenda vjeshtës së dytë mund dhe duhet të organizojë manifestime në shkallë qendra qarqesh, ku të firmosen peticione drejtuar Parlamentit, Presidentit, Kryeministrit duke kërkuar zgjidhjet brenda institucioneve, gjë që është e mundshme, ligjore dhe kushtetuese. Pa dyshim se këto që numërova nuk janë çështjet e vetme. Të tjera çështje më të rëndësishme dhe në një klimë politike më të favorshme do të jenë objekt i veprimtarisë së Bashkimit qytetar. Këto lloj bashkimesh janë provuar të tjera herë më parë dhe kanë rezultuar të suksesshme. Duke nxjerrë mësime nga çfarë është bërë më parë, duhet vepruar shpejt, pa humbur kohë dhe larg ngushtësisë dhe fibrilizimit që krijon fryma partiake. Çdo ditë e humbur favorizon çimentimin e totalitarizmit dhe rrit koston e veprimtarisë së tij. Kostot si gjithmonë i paguajnë qytetarët. Të kemi besim, të shpresojmë dhe të jemi optimistë se një lloj bashkimi do ta kemi së shpejti.
Top Channel