Tek Arbën Xhaferi rrinin tok intelektuali dhe patrioti

19/08/2012 00:00

Mustafa Nano – Të gjithë ata që kanë folur për Arbën Xhaferin këto ditë, gati njëzëri kanë nënvizuar prerjen intelektuale të tij; kanë veçuar edhe cilësi të tjera, por më së pari e më së shumti janë fokusuar te kjo anë e qenies së tij, të cilën ai, me sa duket, e nxirrte në evidencë kudo.

Janë të paktë shqiptarët që kanë pasur charm-in e tij intelektual. Ai nuk shtinte në punë maniera e mënyra rrufjane për të rënë në sy e për të tërhequr vëmendjen në këtë drejtim (as që i ka interesuar kjo gjë, në fakt). Kish shumë njerëz që thëthiteshin prej tij, e kjo tërheqje nuk vinte prej stilit të tij, ndonëse është një nga njerëzit më me stil që më kanë zënë sytë ndonjëherë; tërheqja vinte, saktësisht, prej esencës së tij. Dikush po më thoshte dje, teksa po flisnim për Arbënin, se i ati, sa herë që Arbëni shfaqej në ekran, u drejtohej njerëzve të tjerë të familjes, që në atë moment kishin ndonjë bisedë tjetër për të bërë: “Shshshsht, ju lutem, dilni nga dhoma nëse s’keni ndërmend ta dëgjoni; më lini mua ta dëgjoj; nuk dua t’i humbas asnjë fjalë këtij burri”.

Kam njohur dhe të tjerë që e kanë ndjekur me vëmendje Arbënin, kur shkruante e kur ish i ftuar në ndonjë studio. Ai nuk shkonte nëpër debate, dhe nuk besoj se ka qenë thjesht rrëgjimi fizik që nuk e ka lejuar; kjo po se po, por edhe sikur të kish gjallërinë fizike të njëherë e një kohe, ai nuk do të kish parapëlqyer të merrte pjesë nëpër debate. Debatet televizive janë për njerëzit që janë të talentuar për të bërë lojën ‘hidh e prit fraza të përcipta’ e për njerëzit e batutave të kollajta, mirëpo Arbëni nuk ish i aftë për të tilla shfaqje. Debatin dhe polemikat mund t’i bënte në mënyrën e tij qibare në shtyp, me shkrime, por jo në TV. Dhe kuptohet pse. Kish maninë për t’i përcjellë idetë e mesazhet e veta të plota, të përpunuara mirë, të pandërprera, në mënyrë që çdo keqkuptim i mundshëm të vinte për faj të atyre që kanë pasur qejf të keqkuptoheshin, e jo për faj të Arbënit që nuk kish mundur ta thoshte atë që donte të thoshte.

Kam përshtypjen që përgatitej para se të shkonte në një studio. Moderatorët, që për një arsye a një tjetër nuk kanë mundur ta ndjekin në ndonjë moment, kanë bërë ndërhyrjet e tyre, por Arbëni ka gjetur gjithmonë mënyrën për t’u rikthyer tek argumenti i mëparshëm e për ta plotësuar e kopsitur arsyetimin e nisur. Donte të evitonte keqkuptimet sidomos në rrethanat, kur i duhej, apo kur donte (më shumë i duhej se sa donte), të fliste për çështje që ai vetë i konsideronte delikate, siç ishin ato të fesë apo të feve, ato të diferencave tribale në botën shqiptare, apo ato të diferencave mes shqiptarëve të Shqipërisë nga njëra anë e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë nga ana tjetër.

Arbëni ishte patriot; ishte shumë patriot; ishte patriot deri në atë masë, sa ky fakt qëllonte që ia lëndonte disi integritetin e mendimtarit të lirë, ia njolloste e komprometonte tek-tuk kokëçarjet metafizike mbi botën, dhe e mbante ndonjëherë të ndryrë në realitete parokiale, por atij aq i bënte. Nuk vuante prej ndërdyshjesh në këtë pikë, ndonëse duhet të ketë qenë njeri ndërdyshjesh. Kombi ish për të fe, filozofi, arsye ekzistence. Midis së vërtetës dhe interesit kombëtar, ai mbronte këtë të dytën. Përpara interesit kombëtar, aspirata për demokraci dhe betejat për të, i dukeshin çikërrima. Në fakt, kam folur me Arbënin për shumë gjëra, por demokracia, shteti i së drejtës, praktika ‘rule of law’, nuk hynin në axhendën e kokëçarjet e tij intelektuale. E prandaj nuk i kish për zemër këto tema. Po të rilexosh shkrimet e tij, termat e nocionet e mësipërme, d.m.th. demokraci e shtet ligjor, janë më pak të përdorurit. Ai kishte përparësi tjetër. Shihte që frynin erëra të mbara për çështjen ende të pazgjidhur të kombit shqiptar, gjë që në fakt është e vërtetë, e me siguri ka menduar se demokracia është një luks që pret. Nuk është se këto të fundit m’i ka thënë ai; jo, janë hamendje e spekulime të miat të ngritura mbi bisedat që kemi bërë. Kombi ishte zgjedhja e tij e parë. Ish një zgjedhje apriori e tij, e bërë symbyllazi, e dukej se nuk provonte asnjë brerje ndërgjegjeje për këtë gjë.

Nuk është se donte një komb të përkryer që e kish krijuar në kokën e vet e për hesap të vet; nuk është se s’i njihte dështimet historike dhe limitet gati fiziologjike të kombit tonë; i njihte që ç’ke me të, ashtu si pakkush këtej nga anët tona, por nuk donte që energjitë e shqiptarëve të përqendroheshin tek evidentimi e denoncimi i veseve, huqeve, prapambetjes sonë, sidomos kur ky evidentim e denoncim kish për synim, por edhe për pasojë, përçarjen e sektarizmin. Sikur të varej prej tij nuk do ish çudi të binte dakord t’u bëhej censurë atyre që theksonin me vend e pavend identitete tribale në dëm të identitetit nacional, fjala vjen atyre që vinin në diskutim standardin e shqipes.

Tjetër, më kujtohet se polemikën e famshme midis Qoses e Kadaresë, më e bujshmja në historinë e kulturës shqiptare, nuk e ka pritur mirë, qoftë për spicat e fyerjet që ata i hodhën shoshoqit, qoftë për delikatesën e argumentit të trajtuar, dhe këtë gjë e ka thënë publikisht (apo ma ka thënë në ndonjë nga bisedat që kemi pasur, e mua më duket sikur e ka shkruar? Më ndodh shpesh ky konfondim; për shumë ide të Arbënit nuk di të them nëse i kam dëgjuar nga goja e tij në bisedat që kemi pasur, apo nëse i kam lexuar në artikujt e publikuar prej tij).

Sa më sipër u fokusova te prerja intelektuale dhe te pasioni patriotik i Arbën Xhaferit. Dhe të tjerët të njëjtën gjë kanë bërë. Jo më kot. Mund të veçohen plot gjëra kur flitet për të, por këto dy cilësi binin në sy prej së largu; e binin në sytë e gjithkujt. Arbën Xhaferi ishte intelektual dhe patriot. Me shokë të rrallë në çdo rast.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA