Pas një muaj agjërimi, besimtarët myslimanë në gjithë territorin e Kosovës i dhanë fund muajit të shenjtë të Ramazanit. 

Mijëra besimtarë myslimanë morën pjesë në faljen e namazit të Fitër Bajramit.

Ceremonia kryesore u zhvillua në xhaminë e madhe në Prishtinës, ndërsa besimtarëve muslimanë iu drejtua myftiu Naim Tërnava.

Me mesazhe paqeje, myftiu kosovar kërkoi nga besimtarët që uniteti, urtësia dhe vendosmëria të mbretërojë në mbarë popullin shqiptar.

Për më tepër, ai shtoi se të gjithë duhet të kenë bindjen se Zoti është një dhe i vetëm, i gjithëdijshmi dhe i plotfuqishëm, krijuesi i cdo gjëje në këtë gjithësi dhe se vetëm atij i takon sundimi, shpëtimi e mëshira.

”Allahu Gjyleshenhu thotë: Ata që besuan dhe bënë vepra të mira ne do t’i vendosim në xhenet ku rrjedhin lumenjtë e ku do të jenë përgjithmonë premtimi i saktë i Allahut. Kush mund të jetë më i saktë në fjalë se Allahu. Në mesin tonë kemi shumë jetimë e familje të varfra, skamnor që nuk kanë ushqim të mjaftueshëm andaj së paku në këto ditë feste të tregojmë se ne vërtetë jemi solidar e të ndihmojmë nevojtarët. Besimtari nuk e përjeton dhe as që duhet t’i gëzohet festës nëse fqinji i tij ose jetimi nuk ka se si t’i gëzohet kësaj feste”, deklaroi myftiu Tërnava,

Myftiu Terrnava tha se besimtarët, edhe pse po ndahen nga muaji i Ramazanit të bekuar, kjo nuk do të thotë se po lirohen nga detyrimet e mëtejshme të fesë islame. Sipas tij, shoqëria kosovare dhe shqiptare në përgjithësi ka nevojë për themele të shëndosha fetare.

Muaji i shenjtë i Ramazanit, në kalendarin e besimtarëve muslimanë vlerësohet muaji më i rëndësishëm. Pas një muaj agjërimi besimtarët kryejnë ritin e faljes së namazit të Fitër Bajramit dhe ndihmojnë familjarët e tyre dhe personat në nevojë.

Kosovë, pushtetarët urojnë festën e shënuar

Pas përfundimit të faljes së Fiter Bajramit, selia e Bashkësisë Islame, ashtu si cdo vit më parë, ishte e kujdesshme për pritjen e shumë personaliteteve politike dhe jo vetëm. Në emër të besimtarëve muslimanë të Kosovës, myftiu Terrnava pranoi uratat e udhëheqësve shtetëror, fetarë dhe diplomatik në Prishtinë.

”Në emër të Kuvendit, i uroj Bashkisë Islame këtë ditë të shënuar, së bashku me të gjithë shqiptarët muslimanë të Kosovës i përcjell urimet më të mira. Fatmirësisht, janë krijuar këto kushte që të gjithë bashkë të festojmë dhe të urojmë qytetarët”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

”Urime vëllazërore në emër të kishës katolike, urojmë gjithçka që është më e mira pas agjërimit jo të lehtë një mujor dhe ditën e Fiter Bajramit, porosia që jep Selia e Shenjtë përmes sekretarit papnor është që rinia e krishterë dhe muslimane të përkushtohet për drejtësi dhe paqe. Duhet të njohim drejtësinë, e kjo nuk mund të ndodhë pa dashuri dhe falje. Paqja e mirëfilltë nuk është mungesa e luftës, por paqe e ndërgjegjës ndaj shpirtit”, deklaroi Don Lush Gjergji, drejtues i kishës katolike në Kosovë.

”Falenderoj Perëndinë dhe të gjithë ata që sakrifikuan në këtë muaj të shenjtë, e që sot e festojnë këtë ditë të lirë dhe sovranë të një shteti të pavarur”, shtoi Behgjet Pacolli, në cilësinë e zv/kryeministrit të Kosovës.

”Kjo është festa e solidaritit që duhet ta shfrytëzojmë në vetvete, të gjithë ne dhe popujt e tjerë sepse është treguesi më i mirë i tejkalimit të problemeve dhe sfidave që kemi në jetë”, deklarata e Isa Mustafës, kryetari i LDK-së.

Shpend Ahmeti, nga “Vetëvendosje”, bëri thirrje që në këtë ditë të shënuar të “kujtohet varfëria dhe skamja e qindra mijëra vëllezërve muslimanë, të cilët kanë mbetur me të vetmen shpresë tek Zoti, pas braktisjes totale nga ana e shtetit”.

”Ditë e madhe sepse i bashkon zërat tanë, ndienjat tona dhe na detyron të punojmë më shumë për popullin”, fjalët e Ahmet Isufit, nga “AAK”.

”I uroj të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të fesë islame, shpresojmë për një të ardhme të shpejtë sa më të mirë dhe të gjithë të jemi së bashku siç e kërkon Bajrami”, tha Nexhat Daci, i LDD-së nga ana e tij.
 
Megjithëse vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës dhe uroi kryemyftiun, Presidentja Atifetete Jahjaga ishte e vetmja e cila para kamerave nuk dha mesazhe urimi për mbarë besimtarët musliman.

Top Channel