Zjarre pranë Ndroqit dhe Gjirit të Lalzit

18/08/2012 19:00

Një tjetër zjarr ka rënë në afërsi të Tiranës. Pak kilometra larg kryeqytetit, pa mbërritur në fshatin Ndroq, zjarri ka rënë në krahun e djathtë të rrugës nacionale.

Ende nuk dihen motivet. Banorët e zonës thonë se, megjithëse zjarri ka kohë që ka rënë, zjarrfikësit dhe policia nuk kanë mbërritur për të izoluar zonën.

Në pamje të parë, zjarri duket i madh dhe mund të sjellë dëme të konsiderueshme materiale. Relievi përreth vatrës së zjarrit duket malor dhe ndoshta kjo do ta bëjë të vështirë kontrollin mbi flakët.

Ndërkohë, një tjetër zjarr masiv ka rënë në pyjet në fshatin Shën Pjetër, pranë Gjirit të Lalzit, ku situata duket tejet e rënduar.

Sipas informacioneve të fundit, flakët e zjarrit kanë djegur një sipërfaqe të madhe me pisha dhe duket se po avancojnë.

Ndërkohë, banorët e fshatit deklarojnë se, pavarësisht kërkesave për ndihmë, askush nuk po interesohet për të vënë nën kontroll flakët.

Vetëm dje, pas gjashtë ditësh, një tjetër zjarr, ai në fshatin Priskë pranë kryeqytetit, u bë e mundur të vihej nën kontroll dhe kjo pas ndërhyrjes së ushtrisë.

Deri para pak ditësh qindra hektarë pyje dhe kullota ishin përfshirë nga zjarret në veri dhe jug të vendit. Ekspertët në Drejtorinë e Policisë Pyjore deklaruan se ishin rreth 30 vatra zjarri aktive, për shuarjen e të cilave ishin angazhuar të gjitha forcat e emergjencave civile.

Inspektori i policisë pyjore, Genci Hoxhaj theksoi se në të gjitha rastet shkaktarë të zjarreve janë njerëzit, të cilët në mënyrë të vullnetshme ose aksidentale, kanë sjellë dëme të mëdha.

Shuarja e zjarreve në disa zona zgjat disa ditë dhe shpesh kërkohet ndërhyrje nga ajri, gjë që ka qenë e vështirë. Ekspertët e pyjores tregojnë se shuarja e vatrave të zjarrit, të cilat janë të fuqishme kanë kosto shumë të lartë, shpesh herë është e shumë e vështirë.

Sipas tyre, një rol të rëndësishëm duhet të luajë pushteti vendor dhe kryetarët e komunave të cilët nuk mund të qëndrojnë indiferentë sa herë ka zjarre në zonat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA