Qindra mijëra qytetarë shqiptarë kanë agjëruar përgjatë një muaji duke
treguar devotshmërinë e tyre ndaj besimit edhe në këto ditë të nxehta
vere.
Kreu i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça ka uruar gjithe besimtaret myslimanë per festen e Bajramit te Madh, e cila sipas kalendarit fetar eshte diten e diel.
“Tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët – Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe favori hyjnor.Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fiter Bajramin. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet tuaja.Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Festimi i ditëve të Bajramit i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Kremtimi i kësaj feste i jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote.Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”, tha Selim Muça.
Kreu i Komuniteti Mysliman tha se Fiter Bajrami eshte festa me e dobishme dhe me e bekuar per myslimanët.Per besimtaret kjo feste nis pas nates se fundit te muajit te Ramazanit dhe vazhdon me ritualin e faljes se namazit te Bajramit që do të kryhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, të dielën në mëngjes.
Berisha shtron iftar
Kreu i qeverisë Sali Berisha ka shtruar një darkë mbrëmjen e së premtes për të gjithë përfaqesuesit e komuniteteve fetare në Shqiperi në një prej rezidencave të tij qeveritare.
Ne kete darke, Kryeministri ka vleresuar jo vetem perkushtimin ndaj Zotit te te gjithe besimtareve qe agjeruan ne muajin e Ramazanit,por rendesine e bashkejeteses fetare.
“Ne shqiptarët kemi një trashëgimi të shkëlqyer, e cila dora dorës vjen duke u bërë gjithnjë e më e njohur dhe dora dorës vjen duke u shpalosur gjithnjë e më shumë në Europë dhe në Botë.Këtë vit, që kemi edhe vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit është një rast për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj udhëheqësve të kombit të të gjitha besimeve, të cilët dhanë një kontribut historik në pavarësinë e Shqipërisë, në pavarësinë e shqiptarëve, në lirinë e shqiptarëve. Këtë vit këtë 6 mujor, ne kryesojmë institucionin më të vjetër demokratik të Europës të pasluftës, Këshillin e Europës dhe ky është një nder shumë i madh për ne dhe një nga motot e këtij drejtimi që kemi përzgjedhur, është “Të bashkuar në diversitet” dhe këtë moto ne shqiptarët mund ta ilustrojmë bukur me trashëgiminë tonë shpirtërore, me respektin tonë të madh të ndërsjellë për besimin e tjetrit, me tolerancën fetare të shkëlqyer që ne kemi”, tha Berisha.
Ne kete darke kreu i qeverise tha se ky eshte viti i 100-vjetorit te Pavarësisë së vendit ngaj eshte rasti te shprehim nje mirenjohje te thelle ndaj udheheqesve te kombit te te gjitha besimeve, te cilet dhane nje kontribut historik ne pavaresine e Shqiperisë.
Urime edhe në Kosovë
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, apo siç njihet në popull si Bajrami i Madh, drejtues të institucioneve shtetërore e fetare në Kosovë, kanë uruar besimtarët myslimanë.
Në mesazhin e tij, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava thotë se kjo festë vjen pas agjërimit të muajit të Ramazanit, i cili pastroi shpirtrat e njerëzve nga urrejtja, xhelozia, i ka udhëzuar në punë të mira, në respekt ndaj njëri-tjetrit e solidaritet, dhe ka ngritur shkallën e altruizmit, duke forcuar bindjen se njeriu kërkon përkujdesje të vazhdueshme.
“Në këtë ditë feste e gëzimi, kërkoj nga ju kudo që jeni t’i ruani vlerat e virtytet tona fetare e kombëtare… Kjo festë na gjen më të organizuar si shoqëri, më të konsoliduar si shtet, më të fuqishëm si komb e popull, kjo për faktin ngase sivjet jemi edhe në vitin jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë, viti kur merr fund edhe pavarësia e mbikqyrur e Kosovës, andaj edhe kemi më shumë arsye të festojmë. Duke ju përshendetur e përgëzuar, më lejoni t’iu shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta të gjithë vëllezërve e motrave kudo që gjenden”, tha Ternava.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, edhe drejtues të institucioneve dhe partive politike kanë uruar besimtarët myslimanë.
“Në këtë ditë të veçantë, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, le të shtrijmë dorën e solidaritetit e të mirëkuptimit në mes vete, le të përkujtojmë dhe le të lutemi për të gjithë ata që nuk janë në mesin tonë, por që me punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre, bënë që ne sot të jetojmë dhe të shënojmë të lirë festat dhe gëzimet tona”, thuhet në urimin e Presidentes, Atifete Jahjaga.
Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka uruar myftiun Tërnava dhe besimtarët myslimanë me rastin e kësaj feste. Në urimin e tij Krasniqi shkruan ndër tjerash
“Bashkëjetesa e harmonia ndërfetare dhe solidariteti i gjerë, bëjnë pjesë në thesarin e madh të vlerave civilizuese e humane të popullit tonë. Uroj që në Kosovë të mbretërojë paqja, respekti, toleranca dhe mirëkuptimi”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në urimin e tij drejtuar qytetarëve të besimit islam shkruan
“Uniteti qytetar, hamonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Republikës së Kosovës”,shkruan kryeministri Thaçi, duke shtuar se “Kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë”, tha Thaçi.
Kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, në urimin e tij për festën e Fitër Bajramit uron që “kjo festë të përcillet jo vetëm me urime të mira e vizita tek të afërmit por edhe me vepra të mira, sepse kjo ditë është ditë e mëshirës, faljes, mirëkuptimit, mirësisë dhe paqes”.
Obama uron Jahjagën
Edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka uruar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Fitër Bajramit. Në urimin e presidentit Obama, dërguar mediave nga zyra për informim e Presidencës, thuhet: “E nderuara Zonja Presidente. Në emër të popullit Amerikan, po ju përcjell dëshirat më të mira, në kohën kur ju dhe populli juaj festoon Fitër Bajramin. Shpresoj se muaji i shenjtë i Ramazanit do t’i sjellë gjithë myslimanëve një periudhë të ripërtëritjes dhe përbashkimit me njëri-tjetrin. Uroj që ju dhe populli juaj të përjetoni paqe, shëndet dhe prosperitet gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në urimin e presidentit amerikan, Barak Obama.
Top Channel