Shtetet amerikane, takim për Assange

18/08/2012 15:25

Ministrat e Jashtëm të vendeve të kontinenteve amerikane do të takohen të premten e ardhshme për të diskutuar mbi krizën e lindur mes Britanisë dhe Ekuadorit për shkak të Julian Assange.

Të 23 anëtarët e Organizatës së Shteteve Amerikane votuan për mbajtjen e takimit në Uashington, edhe pse Shtetet e Bashkuara ishin një nga tre vendet që e kundërshtuan atë.

“Një takim i vendeve të OSHA-së në Uashington do të ishte i padobishëm dhe i dëmshëm për reputacionin e organizatës”, ka deklaruar e dërguara e SHBA, Carmen Lomellin.

Ajo ka theksuar se, Shtetet e Bashkuara, që u mbështetën nga vota kundër e Kanadasë dhe Trinidat e Tobago, nuk e shohin çështjen e azilit si një çështje të lidhur me ligjin ndërkombëtar.

Ekuadori i ka dhënë azil themeluesit të Wikileaks, i cili u strehua në ambasadën e vendit latin në Londër në muajin qershor. Ai përballet me ekstradimin në Suedi, ku akuzohet për agresion seksual, akuza të cilat ai i mohon.

Ngjarja ka shkaktuar një krizë të vërtetë diplomatike mes Ekuadorit dhe Anglisë, e cila deklaroi dje se është e gatshme të kërkojë një “zgjidhje miqësore” për këtë çështje.

Autoritetet londineze kanë deklaruar më herët se nuk do ta lejojnë Assange që të fluturojë drejt Ekuadorit, por nga ana tjetër ato nuk mund të futen në selinë diplomatike për ta marrë atë.

Top Channel