Kriza e Sirisë në duart e diplomatit algjerian

18/08/2012 00:00

Diplomati algjerian, Lakdar Brahimi mori detyrën e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe në Siri. 78-vjecari do të zëvendësojë Kofi Anan, i cili dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, pas dështimit të planit të tij gjashtë-pikësh për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

Jo vetëm kaq, ai iu referua dhe bllokimit në Këshillin e Sigurimit ku Rusia dhe Kina gjatë krizës i kanë vendosur veto tre rezolutave, duke shprehur kësisoj kundërshtim për cdo veprim që mund të sugjeronte ndryshim të regjimit të imponuar nga jashtë.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun tha se OKB mirëpriti vullnetin e Brahimit për të ndihmuar në ndaljen e dhunës dhe vuajtjeve të Sirisë.

Në një intervistë për BBC-në, diplomati veteran tha se bashkëpunimi është thelbësor për t’i gjetur një zgjidhje paqësore konfliktit.

“Nuk ka asnjë dyshim se unë s’do të bëj asgjë nëse nuk kam mbështetjen dhe bashkëpunimin e sirianëve”. Ai sygjeroi se përpjekjet diplomatike nuk duhet të rreshtin. “Ky mision duhet të merret përsipër. Duhet të perpiqemi. Duhet të shohim që populli sirian nuk duhet lënë në harresë. Unë mund edhe të dështoj, por mund të kemi dhe fat për të gjetur një rrugëdalje”.

Brahimi ka mbajtur një sërë postesh diplomatike. Si një prej drejtuesve të Ligës Arabe gjatë viteve 1984-1991, ai ndërmjetësoi fundin e luftës civile në Liban. Më pas mori detyrën e Ministrit të Jashtëm algjerian gjatë viteve 1991-1993. Më vonë, u caktua si i dërguari special i OKB-së për Afganistanin nga vitet 1996-1998 dhe 2001-2004. Ai ka patur role të ngjashme edhe në Haiti dhe Afrikën e Jugut.

Konflikti në Siri që nisi marsin e vitit të kaluar, sipas aktivistëve, numëron sot të paktën 20 mijë viktima, kryesisht civilë dhe dhjetera mijëra të shpërngulur.

I sapoemëruari si i dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Lakhadar Brahim do të nisë punën e tij nga Nju Jorku.

Diplomati veteran algjerian tha se do të udhëtojë së shpejti për në selinë e OKB-së për të zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme në Këshillin e Sigurimit, pikërisht aty ku Rusia dhe Kina rrëzuan 3 rezoluta që mund t’i jepnin fund dhunës në Siri.

“Do të udhëtoj drejt Nju Jorkut për t’u takuar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e për të diskutuar me ta. Kjo mund të na bëjë të kuptojmë se në c’formë e mënyrë mund të jetë i dobishëm ky institucion për dhënien fund të dhunës”, deklaroi Brahim në një intervistë për televizionin francez, France24.

Top Channel