Afrikë e Jugut, hetim masakrës në minierë

17/08/2012 22:05

Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma ka njoftuar hapjen e një hetimi për masakrën në minierën në veri-lindje të vendit, duke i cilësuar vdekjet e minatorëve si “tragjike”.

Të paktën 34 persona u vranë kur policia hapi zjarr ndaj sulmit të minatorëve të platiniumit ditën e enjte, ndërkohë që 78 të tjerë mbetën të plagosur nga përballja.

Zoti Zuma deklaroi se ndihet i “trishtuar dhe i pezmatosur” për shkak të ngjarjeve “tronditëse” dhe u bëri ngushëllimet e tij më të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit.

“Ne duhet të zbulojmë të vërtetën e asaj që ndodhi atje. Unë kam vendosur të ngre një komision hetimor. Ai do të na mundësojë të marrim vesh shkaqet e vërteta të incidentit dhe të nxjerrim mësimet e duhura”, deklaroi Zuma.

Presidenti u shpreh gjithashtu se mendimet e tij janë me familjet që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, por edhe tek policia, “që duhet të ndërhyjë në situata të vështira”.

“Sot nuk është momenti për të hedhur fajin, për t’i drejtuar gishtin dikujt apo për të inkriminuar dikë. Sfida jonë sot është të rivendosim qetësinë dhe të ndajmë dhimbjen me familjet dhe komunitetet e prekura. Sot është dita që t’i kujtojmë vetes përgjegjësitë tona”, tha Zuma.

Presidenti afrikano-jugor theksoi se është “gurthemeli i demokracisë” lejimi i protestave paqësore, por shtoi se sot është dita kur të gjithë si komb duhet të mbajnë zi.

Top Channel