Vala ekstreme e të nxehtit përfshin Evropën/ Rekord temperaturash në Francë dhe alarm i kuq në Spanjë, rriten çmimet e energjisë dhe rreziku nga zjarret Avionët ushtarakë siriane vunë në shënjestër qytetin Azaz, 48 km në veri të Alepit dhe disa milje në jug të kufirit turk. Të paktën 30 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Sipas raportimeve të pakonfirmuar mes viktimave janë edhe katër libanezë shi’itë që ishin marrë peng nga kryengritësit. Një grup libanez, të mërkurën deklaroi rrëmbimin e 20 sirianëve në Liban si kundërpërgjigje për pengmarrjen e një libanezi nga kryengritësit, të hënën në Damask. Sipas rebelëve ai ishte Hasan Al Mekdad, anëtar i “Hezbollah”, pretendim që rrëzohet nga grupi militant libanez. Ndërkohë Arabia Saudite urdhëroi shtetasit të largohen nga Libani nga rreziku i rrëmbimeve.
Raporti i OKB-së për Hulan
Hetuesit e OKB-së dolën në përfundimin se masakra më e rëndë, ajo e Hula-s, ku u vranë 108 persona është kryer nga ushtria dhe milicia siriane.
Ngjarja u konsiderua si sulmi më i rëndë kundër civilëve prej nisjes së kryengritjes kundër rregjimit të Bashar Al Asadit, marsin e vitit të kaluar.
Në raportin prej 102 faqesh, të kërkuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB shkruhej për vrasje, tortura, përdhunime, shkelje të rënda nga ana e ushtrisë siriane prej muajit shkurt të këtij viti deri në korrik.
Gjatë kësaj periudhe, janë përdorur edhe taktika të tjera edhe më brutale.
Megjithëse qeveria në Damask nuk lejoi ekipin e hetuesve të OKB-së, ata mundën të flasin dhe të mblidhnin dëshmitë e mbi 700 personave; civilë, ish-ushtarë dhe refugjatë.
Në raportin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në OKB thuhet se krime janë kryer edhe nga grupet e opozitës, por jo me të njëjtat përmasa, si ato të ushtrisë siriane.
Raporti i OKB-së vjen disa orë pas një shpërthimi në qëndër të Damaskut, pranë hotelit ku qëndronin vëzhguesit e OKB-së. Të paktën tre persona u plagosën kur një bombë e vendosur në një kamion cisternë, shpërtheu.
Top Channel