“Reuters” sulmohet nga “hacker”-at

16/08/2012 20:55

Agjensia e Lajmeve “Reuters” u sulmua nga “hackers”-at për herë të tretë brenda muajit, ndërsa publikoi lajmin e pavërtetë për vdekjen e ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite, Saud al-Faisal.

Piratët depërtuan në rrjet edhe dy herë të tjerë më parë gjatë gushtit, duke publikuar lajme sipas të cilave kryengritësit sirianë ishin në tërheqje të plotë.

Për momentin, është e paqartë se kush qëndron pas këtyre sulmeve të sofistikuara ndaj agjensisë.

Duke raportuar ndërhyrjen në rrjet, “Reuters” theksoi se lufta kibernetike midis qeverisë siriane dhe rebelëve është intensifikuar, duke bërë që si rrjedhojë të sulmohen edhe vende të treta, të konsideruar si mbështetëse të kryengritësve si Arabia Saudite.

“Reuters.com u vendos nën sulmin e piratëve gjatë së enjtes. Platforma jonë e blogimeve u kompromentua dhe u fabrikua një lajmi i pavërtetë për vdekjen e ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite, Saud al-Faisal. Lajmi i vendosur në blogun tonë ishte ilegal dhe jo i publikuar prej “Reuters”. Jemi duke punuar që të zgjidhim problemin”, shkruhej në deklaratën e Agjensisë së Mirënjohur.

Top Channel