Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Jacobson ka deklaruar se Amerika është krenare që ka një vend mik si Kosova.

Këtë deklaratë, diplomatja e ka bërë në gjuhën shqipe dhe atë serbe, pasi ka dorëzuar letrat kredenciale tek presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bën të ditur “REL”.

“Jam krenare që mund të përfaqësoj presidentin Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që mund ta quajnë Kosovën vend mik”, ka deklaruar Jacobson.

Ambasadorja amerikane, në një konferencë për shtyp me zonjën Jahjaga, ka vlerësuar se, Kosova ka arritur progrese të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë.

“Gjatë kohës së shkrutër që kam në Kosovë kam vënë re shumë ndryshime pozitive”, ka thënë ajo, duke inkurajuar liderët politikë për unitet, në të mirë të së ardhmes së Kosovës.

“Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës do të mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë një themel të fuqishëm për një të ardhme të begatë dhe demokratike”, ka theksuar Jacobson.

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës.

Nga ana tjetër, ajo është zotuar se bashkë me lidershipin kosovar do të punojnë për të konsoliduar rendin dhe ligjin në të gjithë Kosovën, duke luftuar dukuritë negative si korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Top Channel