Vendet arabe “izolojnë” Libanin

15/08/2012 00:00

Katër shtete arabe u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani, shenjë kjo se konflikti në Siri mund të përhapet edhe në fqinjët e saj perëndimorë.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Kuvaiti bënë thirrje për veprime të menjëhershme pas rrëmbimit të një grupi myslimanësh sunitë nga një klan i fuqishëm shiit.

Klani në fjalë po hakmerrej për rrëmbimin e disa prej anëtarëve të tij nga rebelët në Damask. Ndërkohë, një samit mes vendeve islamike i mbajtur në Mekë ka pezulluar anëtarësimin e Sirisë.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunimin Islamik, Ekmeledin Ihsanoglu deklaroi se grupimi nuk ka vend për një regjim që vret popullin e tij.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se lëvizja në fjalë do të izolojë edhe më tej presidentin Bashar al Assad, pasi Lidhja Arabe e përjashtoi Sirinë nëntorin e kaluar.

Qytetarët libanezë u përfshinë në krizën siriane ditën e mërkurë, pasi avionët ushtarakë goditën qytetin e Azazit, në veri të Alepos, duke vrarë 30 persona.

Mes personave të plagosur nga sulmi pranë kufirit mes Sirisë dhe Turqisë ishin shtatë libanezë të marrë peng nga rebelët që prej muajit maj. Ndërkohë, katër pengje të tjera konsiderohen të humbur pasi ndërtesa e tyre u godit.

Top Channel