SHBA, reformë për emigracionin

15/08/2012 20:35

Emigrantët e paregjistruar mund të aplikojnë lirisht për të drejtën për të punuar e jetuar përkohësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas hyrjes në fuqi të një politike të re rreth emigracionit.

Deri në 1,7 milionë banorë pritet që të kenë mundësi të aplikojnë në këtë program, të prezantuar në muajin qershor nga Presidenti Barack Obama, pas presionit të votuesve hispanikë.

Republikanët kundërshtuan nismën duke thënë se Shtëpia e Bardhë ka tejkaluar kompetencat, duke mos i referuar çështjen Kongresit e duke thelluar keshtu papunësinë për shtetasit amerikanë.

Sipas ekspertëve, votat e shtetasve me origjinë hispanike mund të rezultojnë vendimtare në zgjedhjet e nëntorit 2012, për shkak të pavendosmërisë së tyre të madhe për të votuar njërin nga kandidatët Obama apo Romney.

Shumica e 11,5 milionë emigranëve të paregjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijnë nga vende të Amerikës Latine.

Top Channel