Një bashkëpunëtore e vjetër e presidentit Bashar al Assad ka fluturuar për në Kinë për të diskutuar mbi krizën e armatosur që ka përfshirë Sirinë.
Ministria e Jashtme kineze deklaroi se Bouthaina Shaaban do të pritet nga shefi i diplomacisë kineze gjatë ditës.
Ministria tha se ky takim është një përpjekje për të implementuar planin 6-pikësh të OKB-së. Vetë Kina ka votuar dy herë kundër rezolutave ndaj regjimit të Assad në Kombet e Bashkuara.
Ndërkohë, shefja e OKB-së për çështjet humanitare, Valerie Amos pritet të mbërrijë në Siri për të mbikëqyrur ndihmat e emergjencës.
Ajo pritet të kërkojë më shumë viza për ndihmësit e huaj, teksa Gjysmëhëna e Kuqe do të merret me shpërndarjen e ushqimeve.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 2 milionë civilë sirianë janë prekur nga kriza dhe se mbi një milion të tjerë kanë braktisur shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve.
Dhjetëra mijëra persona kanë kaluar kufirin për në Turqi, Jordani, Liban dhe Irak për shkak të përshkallëzimit të dhunës në vend.
Ndërkohë, ministrat e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik kanë bërë thirrje që Siria të pezullohet nga blloku prej 57 vendesh në samitin dyditor që nis të martën në Mekë.
Top Channel