Negociatori pirat, 12 dënime përjetë

14/08/2012 04:21

Një shtetas somalez që ka vepruar si negociator i pengjeve gjatë rrëmbimit të një jahti amerikan është dënuar me 12 burgime të përjetshme nga një gjyqtar në SHBA.

Mohammad Saaili Shibin u shpall fajtor në prill për pirateri, rrëmbim dhe marrje peng, pas rrëmbimit në vitin 2011 të jahtit SV Quest, pranë Omanit.

Prokurorët thanë se ai ka marrë së paku 30,000 $ për negocimin e pagesave dhe shpërblimeve.

Të katër amerikanët në bordin e anijes u qëlluan për vdekje.

Në një gjykatë në Norfolk të Virxhinias, në SHBA, Gjykatësi i Qarkut Robert Doumar dënoi Shibin për të shërbyer 10 dënime të përjetshme të njëkohëshme, dy dënime përjetë të njëpasnjëshme, dy dënime me 20-vjet burg dhe urdhëroi atë që të rikthejë 5.4 milion $.

“Mohammad Shibin ishte një pjesëmarrës kyç në dy prej veprave më monstruoze të piraterisë në kujtesën moderne”, tha prokurori Neil MacBride në një deklaratë.

Gjykata tha se Shibin kishte hulumtuar në internet prejardhjen e pengjeve, për të përcaktuar se sa shpërblim të kërkonte, si dhe të gjente anëtarët e familjes për të kontaktuar për kryerjen e pagesave.

Shibin u arrestua nga FBI-ja dhe zyrtarë ushtarakë në Somali në prill të vitit 2011.

Avokati i tij tha se ai ka ndërmend të apelojë kundër dënimit.

Gjithashtu dy somalezë të tjerë janë shpallur fajtorë në lidhje me rastin vitin e kaluar dhe u dënuan me burgim të përjetshëm.

Disa persona të tjerë të përfshirë në rrëmbim janë dënuar përjetë, ndërsa disa të tjerë po përballen me akuza për vrasje dhe rrezikojnë dënimin me vdekje.

Çifti që kishte në pronësi anijen, si dhe dy miqtë e tyre, u qëlluan për vdekje, pasi  një bandë prej 19 piratësh i mori peng në Oqeanin Indian.

Të katër, Jean dhe Scott Adam nga Marina del Rey, Kaliforni, dhe miqtë Bob Riggle dhe Phyllis Macay, nga Seattle, ishin amerikanët e parë që vdesin në një sulm pirat në Gjirin e Aden.

Dy nga piratët u vranë nga forcat amerikane dhe dy të tjerë u gjetën të vdekur në anijen e tyre. Mbetet e paqartë se si ata vdiqën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA