Përkulja e oficerëve të Armatës së Maqedonisë dhe Ministrit të Mrojtjes Fatmir Besimi, pranë bustit të dëshmorëve UCK-së në Maqedoni me rastin e 11 vjetorin të Marrëveshjes së Ohrit, ka nxitur reagimet të shumta tek zyrtarët maqedonas.

Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Maqedonisë përmes një komunikate është distancuar nga nderimi që eprorët ushtark i kanë bërë një ditë më parë ushtarëve të vrarë të UCK-së në vitin 2001.

Nga Qeveria kanë thënë se ceremonia për nderimin e  ushtarëve shqiptarë nuk është bërë me vendim të Qeverisë, ndërsa nga partia e kryeministri Nikolla Gruevksi vlerësojnë se ky akt nuk çon drejt rritjes së besimit mes qytetarëve të Maqedonisë.

Por ndryshe nga partneri maqedonas i koalicionit qeveritar mendojnë përfqësuesit e partisë shqitpare në pushtet BDI. Duke i’u përgjigjur reagimeve të kolegëve maqedonas, nga partia e Ali Ahmetit thanë se pajtimi mes popujve arrihet vetëm përmes respektit të ndërsjellë.

“Shprehim keqardhje që disa subjekte politike nuk gjetën guxim intelektual për të tejkaluar vetveten dhe për të kuptuar këtë akt, si frymë e Marrëveshjes së Ohrit. Jemi të bindur se nuk mund të ketë pajtim në një shoqëri të trazuar pa veprime të tilla që janë pjesë e një trendi të ri në Ballkanin post konfliktuoz. Besojmë që elitat politike dhe intelektuale do të gjejnë guxim intelektual dhe politik për të pranuar realitetin e ri në Maqedoni”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Përkulja e oficerëve të Armatës së Maqedonisë pranë bustit të dëshmorëve të UCK-së ndodh për herë të parë pas përfundimit të konfliktit të armatosur të vitit 2001, kur dy palët luftonin njëra tjetrën. Ky akt erdhi vetëm disa ditë pasi Ministri i Mbrotjes nga radhët e BDI-së Fatmir Besimi, nderoi edhe ushtarët maqedonas të vrarë në vitin 2001.

Top Channel