Bilanci i viktimave të dy tërmeteve që goditën pjesën veri-lindore të Iranit po rëndohet me kalimin e orëve. Sipas agjensisë së lajmeve FARS, janë të paktën 306 viktima dhe mbi 3000 të plagosur.
Kërkimi për të mbijetuarit përfundoi, megjithëse ka ende të humbur, ndërsa po shtohen ndihmat për të mbijetuarit.
Tërmeti i parë prej 6.4 ballë i shkallës Rihter goditi të shtunën në orën 17.23 me orën lokale në verilindje të qytetit Tabriz, me 1 milionë banorë, ndërsa i dyti 6.3 ballë u ndje 11 minuta më vonë.
Më të dëmtuarit janë fshatrat përreth qyteteve të Aharit, Varzaganit dhe Harizit, pranë Tabrizit. Televizioni shtetëror raportoi për 20 fshatra në zonat malore të rrafshuar plotësisht, ndërsa qindra të tjerë janë demtuar.
Dy lëkundjet sizmike u përshkruan nga të mbijetuarit si kafshimet e një gjarpri gjigand që vinte prej nëntokës. Udhëheqësi suprem Ali Ajatollah Kamenei u bëri thirrje ekipeve të ndihmës të shkojnë drejt rajonit të goditur. Gjysmëhëna e Kuqe garantoi dhjetëra ton ushqime, ujë dhe medikamente.
Në Teheran shumë njerëz qëndruan në radhë për të dhuruar gjak për të plagosurit si dhe për ndihma të tjera. Nga ana tjetër autoritetet iraniane refuzuan ndihmën nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, Tajvani, Singapori dhe Gjermania duke thënë se janë në gjendje t’i bëjnë vetë ballë situatës.
Në zonat e goditura dimri është i ashpër dhe presidenti iranian, Mahmud Ahamdinexhad dha urdhër nisjen e shpejtë të rindërtimit. Qeveria iraniane premtoi fonde për shtëpitë e dëmtuara.
Top Channel